Kurti thotë se janë “në proces të blerjes” së helikopterëve Black Hawk nga ShBA

95

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, deklaroi të mërkurën nga Kazerma e Forcës së Sigurisë së Kosovës se vendi tashmë ka “një ushtri të pajisur mirë” dhe se investimet e viteve të fundit po rrisin sigurinë e brezave të rinj.

Gjatë vizitës në prezantimin e armatimit dhe pajisjeve të reja, ai tha se këto zhvillime “na bëjnë krenar dhe të ndjehemi të sigurt si shtet”. Sipas tij, “është ditë e lumtur… sepse me këtë ushtri të pajisur kaq mirë, brezat e ri do të jenë të sigurt të jetojnë në paqe”.

Kurti bëri të ditur se investimet në armatim dhe pajisje gjatë katër viteve të fundit kanë kaluar 430 milionë euro. Ai theksoi se ushtria është transformuar nga një forcë me “automatik dhe revole” në një trupë të pajisur me “teknologji moderne”, përfshirë dronë dhe projekte të reja prodhimi.

“Jemi në proces të marrim helikopterë ‘Black Hawk’ nga ShBA-ja”, tha Kurti, duke falënderuar partnerët e NATO-s dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara për mbështetjen me pajisje, armatim dhe trajnime. Ai shtoi se trajnimet jashtë vendit “janë katërfishuar”.

Kurti e mbylli fjalën me urimin: “Gëzuar të gjithëve Ditën e Forcës, 27 nëntori.”

Comments