Fest 64, mbyllet nata e dytë, plotësohet mozaiku i 28 këngëve
Skena e Pallatit të Kongreseve uli siparin e natës së dytë të Festivalit të 64-të të Këngës në RTSH, duke plotësuar kështu panoramën e plotë të 28 këngëve konkurruese. Tashmë, rrugëtimi magjik drejt trofeut të madh dhe përfaqësimit në Eurovision ka hyrë në fazën e tij më të nxehtë, duke i hapur udhë finales ku do të kalojnë vetëm 23 artistë.
Mbështetje evropiane: “Mezi ju presim në Vjenë”
Një nga momentet kyçe të mbrëmjes ishte prania e Jean Philip De Tender, zv. drejtori i përgjithshëm i EBU (Unioni Evropian i Transmetuesve). Ai vlerësoi talentet e jashtëzakonshëm shqiptarë dhe nivelin e lartë të performancave.
“Mezi pres t’u uroj mirëseardhjen disa prej tyre vitin tjetër në Vjenë në Eurovizion”, u shpreh De Tender, duke nënvizuar bashkëpunimin e ngushtë mes RTSH dhe EBU.
Gala Dragot, një “himn” për vetminë moderne
Artistja Gala Dragot, e ftuar speciale, pushtoi skenën me performancën autentike të këngës së saj “Femcel Anthem”. Me një zë modern që solli një atmosferë melankolike, ajo ndau me publikun zanafillën e këtij krijimi: “Kënga ka lindur nga një periudhë vetmie. Isha kaq e vetmuar sa fillova të ëndërroj për një mashkull ideal që nuk ekziston”.
Salsano Rrapi monolog reflektues me mesazh social
Aktori Salsano Rrapi solli një monolog reflektues, duke i kërkuar publikut vlerësim për mjekët, gjyqtarët e ndershëm dhe gratë. Përmes batutave ai nxori në pah sakrificat e padukshme të këtyre profesioneve, si mjekun që lë sallën për një urgjencë apo gjyqtarin që kthehet pa mbrojtje në shtëpi pas dënimit të kriminelëve.
Ramë Lahaj tenori me famë botëror magjeps skenën e Fest- 64
Një nga momentet kulmor i mbrëmjes ishte performanca e kryetarit të jurisë, tenorit me famë botërore Ramë Lahaj. I shoqëruar nga “gjerdani” i festivalit, Orkestra e RTSH-së, Lahaj dhuroi dy interpretime magjepsëse të këngëve “Shiu i Verës” dhe “Vetë ke mbet”.
“Të shohësh këtë skenë plot do të thotë të vlerësosh punën e RTSH-së, që për më shumë se 60 vjet mban gjallë këtë traditë madhështore,” u shpreh Lahaj, duke vlerësuar investimin tek muzikantët dhe skenografinë moderne.
Drejt finales
Me mbylljen e natës së dytë, nis numërimi mbrapsht për finalen.
Organizatorët kanë bërë të qartë mekanizmin që do të dërgojë artistët drejt natës finale. Nga 28 këngëtarë që nisin rrugëtimin:
• 23 artistë do të kalojnë në finale.
• 5 artistë do të skualifikohen.
• Finalja do të ketë 5 vende për “Debutuesit” dhe 18 vende për kategorinë “Big”.
Ndërkohë që prapaskenat u ndezën nga intervistat e Andri Xhahut dhe Antoneta Kocit.

