Ja si votuan prishtinasit, Vetëvendosje bindshëm e para në kryeqytet

104

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, ka votuar dje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2025, duke dhënë një epërsi të qartë për Lëvizjen Vetëvendosje, e cila ka dalë fituese në këtë komunë me një diferencë të dukshme ndaj subjekteve të tjera, transmeton IndeksOnline.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Vetëvendosje ka marrë 52.94% të votave ose 60,696 vota, duke u pozicionuar bindshëm e para. Në vend të dytë renditet Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 21.98% (25,196 vota), ndërsa e treta ka dalë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 19.17% (21,984 vota).

AAK-ja ka marrë 3.66% (4,193 vota), Nisma Socialdemokrate 0.87% (1,002 vota), ndërsa KDTP-ja ka siguruar 0.27% (309 vota).

Në Prishtinë janë numëruar plotësisht të gjitha vendvotimet (262/262 – 100%), ndërsa pjesëmarrja ka qenë e konsiderueshme, ku deri në mbyllje të procesit kanë votuar 119,382 qytetarë, që paraqet 54.38% të votuesve të regjistruar në këtë komunë.

Prishtina edhe këtë herë ka treguar prirjen e saj politike, duke i dhënë avantazh të dukshëm VV-së, ndërsa LDK-ja dhe PDK-ja mbajnë garën për pozitat pasuese në kryeqytet. Rezultatet përfundimtare pritet të konfirmohen pas numërimit të votave me kusht, atyre nga diaspora dhe personave me nevoja të veçanta./IndeksOnline/

Comments