Migrimi i të rinjve: Dy kandidatët për kryetar komune premtojnë plane për kthim

164

Komuna Mavrovë Rostushë po përballet me shpërngulje serioze të popullsisë, më saktë migrim veçanërisht drejt Europës Perëndimore. Oner Jakuposki kandidat për kryetar komune të Mavrovë Rostushës nga VMRO-DPMNE thotë se kthimi i të rinjve në vendlindje është operacion mjaft kompleks dhe i ndërlikuar.

“Por mund të deklaroj sot se Qeveria e Maqedonisë po mendon seriozisht për këtë plan dhe pata mundësinë të jem pjesë e një takimi pune në Qeveri ku po përgatitet një strategji me masa konkrete si ofertë për kthimin e të rinjve në shtetin e tyre. Mendoj se edhe vetë pushteti lokal ka rolin e vet në gjithë këtë punë. Ajo që unë si kryetar i ardhshëm i Komunës Mavrovë Rostushë do të ndërmarr janë të gjitha ato masa konkrete në kuadër të kompetencave dhe mundësive tona për t’i bindur të rinjtë të kthehen në shtetin e tyre. Sigurisht, punojmë edhe në atë politikë tjetër, e cila është mbajtja e popullsisë që jeton këtu dhe krijimi i kushteve më të mira për jetë”, tha Oner Jakuposki – kandidat për kryetar komune të Mavrovë Rostushës nga VMRO-DPMNE.

Kandidati për kryetar komune nga LSDM, Anes Ahmeti, thotë se kanë më shumë masa që planifikojnë t’i zbatojnë për të ndihmuar në kthimin e një pjese të mërgatës.

“Dëshira jetësore e çdo mërgimtari që ka ikur nga ky rajon është të kthehet në shtëpi. Qëllimi dhe detyrimi ynë është të bëjmë gjithçka që është në mundësinë tonë, qoftë edhe pak, për t’i kthyer prapa. Si pushtet lokal, për të gjithë ata persona nga Diaspora që do të dëshironin të investojnë në Mavrovë Rostushë, do të angazhohemi së bashku me administratën për t’i ndihmuar duke u përgatitur si komunë të gjithë dokumentacionin planor që u nevojitet për të hapur biznes të caktuar. Do t’i ndihmonim me mbulimin e shpenzimeve komunale, do t’i edukonim për aplikim në fondet europiane me të cilat do t’u lehtësohej puna”, u shpreh Anes Ahmeti – kandidat për kryetar komune nga LSDM për Komunën Mavrovë Rostushë.

Shumë banorë të komunës Mavrovë Rostushës jetojnë në Europën Perëndimore. Sipas të dhënave më të fundit nga regjistrimi zyrtar i vitit 2021, komuna Mavrovë dhe Rostushë ka 5.042 banorë në territorin e saj, megjithëse numri i përgjithshëm i popullsisë është mbi 13.500. / Alsat.mk

Comments