Thaçi: Po punojmë që ta përfundojmë transformimin e FSK-së në ushtri

301

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në ceremoninë e diplomimit të 61 rekrutëve të FSK-së nga komunitetet joshumicë, tha se po punohet intensivisht për ta përfunduar procesin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.
“Në përputhje me rekomandimet e rishikimit të sektorit të sigurisë, në koordinim të plotë me partnerët tanë strategjikë, po punojmë për ta përfunduar transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovë, që nënkupton ndryshime të rëndësishme në mandatin, misioni dhe madhësinë e FSK-së”, theksoi Thaçi.
“Askush në Kosovë, në rajon apo edhe më gjerë nuk duhet të shqetësohet për këtë proces të natyrshëm dhe të domosdoshëm. E them me bindje këtë gjë, sepse FSK-ja edhe sot nuk dallon shumë nga ushtritë e tjera”, deklaroi ai.
“Jam i sigurt se pas transformimit, ju pjesëtarë të të gjitha komuniteteve do të vazhdoni të shërbeni me dinjitet në interes të mbrojtjes së sovranitetit të Kosovës, të mbrojtjes së pronës dhe trashëgimisë suaj. Ju edhe sot po kontribuoni për ndërtimin dhe ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe atij global”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, me këtë rast, tha se diplomimi i 61 rekrutëve të rinj të FSK-së nga komunitetet joshuimicë është një hap shumë i rëndësishëm drejt realizimit të objektivave të FSK-së.
Mbi 10 për qind e përbërjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës janë nga komunitetet pakicë, përfshi pjesëtarë të komunitetit serb, boshnjak, rom, kroat e të tjerë.

Comments