Vetëm Serbia nga rajoni i shpëton ‘listës së zezë ballkanike’ për vizat amerikane

92

SHBA-të kanë shpallur një listë me 75 vende të botës, për të cilat procesimi i vizave amerikane do të pezullohet për një afat të pacaktuar.

Sipas një publikimi të Fox News, ndër 75 vendet e përfshira në listën e gjerë, e cila tashmë po përflitet si një “listë e zezë” për vizat amerikane, janë edhe Shqipëria dhe Kosova – dy vendet më pro-amerikane të rajonit.

Ndërsa, nga ana tjetër, i vetmi vend nga gjashtëshja ballkanike, i cili nuk është pjesë e kufizimit, paradoksalisht, është Serbia – e vetmja aleate reale e Moskës në rajon.

Pezullimi do të hyjë në fuqi më 21 janar dhe do të zgjasë për një afat të pacaktuar, deri në përfundimin e një rishikimi të procedurave të verifikimit dhe shqyrtimit të aplikantëve.

Sipas raportimit të Fox News, vendimi bazohet në një memo të brendshme të Departamentit të Shtetit, e cila udhëzon zyrtarët konsullorë të refuzojnë aplikimet për vizë në bazë të dispozitës ligjore të njohur si “public charge”, që synon të ndalojë hyrjen e personave që mund të bëhen barrë për sistemin e ndihmës publike në SHBA.

Në listën e publikuar përfshihen gjithashtu disa vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, si Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Serbia, megjithatë, nuk figuron në listë.

Sipas udhëzimeve të reja, oficerët konsullorë duhet të vlerësojnë faktorë të tillë si gjendja shëndetësore, mosha, aftësia në gjuhën angleze, situata financiare dhe mundësia e nevojës për kujdes afatgjatë shëndetësor.

Fox News raporton se aplikantë më të moshuar, me probleme shëndetësore ose që kanë përfituar më parë ndihmë shtetërore, mund të përballen me refuzim të vizës.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, i cituar nga Fox News, tha se autoritetet amerikane do të përdorin kompetencat e tyre ligjore për të parandaluar hyrjen e individëve që mund të shfrytëzojnë sistemin e ndihmave sociale, ndërsa rishikimi i plotë i politikave të emigracionit është ende në proces.

Lista e plotë e vendeve përfshin: Afganistanin, Shqipërinë, Algjerinë, Antigua dhe Barbudën, Armeninë, Azerbajxhanin, Bahamas, Bangladeshin, Barbadosin, Bjellorusinë, Belizen, Butanin, Bosnjën, Brazilin, Burmën, Kamboxhian, Kamerunin, Kepin e Gjelbër, Kolumbinë, Bregun e Fildishtë, Kubën, Republikën Demokratike të Kongos, Dominiken, Egjiptin, Eritrenë, Etiopinë, Fixhin, Gambian, Gjeorgjinë, Ganën, Grenadën, Guatemalën, Guinenë, Haitin, Iranin, Irakun, Xhamajkën, Jordaninë, Kazakistanin, Kosovën, Kuvajtin, Kirgistanin, Laosin, Libanin, Liberinë, Libinë, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, Mongolinë, Malin e Zi, Marokun, Nepalin, Nikaraguanë, Nigerinë, Pakistanin, Republikën e Kongos, Rusinë, Ruandën, Shën Kitsin dhe Nevisin, Shën Luçinë, Shën Vincenti dhe Grenadinet, Senegalin, Sierra Leonen, Somalinë, Sudanin e Jugut, Sudanin, Sirinë, Tanzaninë, Tajlandën, Togon, Tunizinë, Ugandën, Uruguain, Uzbekistanin dhe Jemenin.

Comments