Irani përgatitet për hakmarrjen e madhe? OJQ: Është bërë gati vendi për ekzekutime
Organizatat për të drejtat e njeriut po paralajmërojnë për një skenar të errët në Iran, duke rikujtuar një nga periudhat më të përgjakshme të historisë së Republikës Islamike. Data 28 qershor 1981 përmendet si paralajmërim: atë ditë, një atentat në selinë e Partisë Islamike në Teheran vrau 74 zyrtarë të regjimit, përfshirë ajatollahun Mohammad Beheshti, dhe u pasua nga një represion masiv i paparë.
Pas sulmit, autoritetet fetare nisën një fushatë të gjerë spastrimi kundër disidentëve, intelektualëve, artistëve, pakicave dhe sidomos kundër organizatës së Mojahedinëve të Popullit. Brenda pak muajsh, mijëra persona u arrestuan dhe rreth 3.500 u ekzekutuan në dhjetëra qytete, shumë prej tyre të rinj, madje edhe adoleshentë dhe gra shtatzëna.
Sipas Mahmood Amiry-Moghaddam nga organizata Iran Human Rights, ekziston rreziku real që historia të përsëritet. Ai paralajmëron se, nëse protestat aktuale nuk sjellin ndryshim politik dhe regjimi mbetet në këmbë, hakmarrja ndaj protestuesve mund të jetë brutale, ashtu si në fillim të viteve ’80. Proceset, thotë ai, do të jenë të shpejta dhe formale, me rrëfime të detyruara dhe akuza të rënda si “armiqësi ndaj Zotit” apo “korrupsion mbi tokë”.
Në qendër të shqetësimit është rasti i Erfan Soltanit, 26 vjeç, i arrestuar gjatë protestave në periferi të Teheranit. Dy ditë pas ndalimit, familja u njoftua se ekzekutimi i tij ishte caktuar, pa asnjë informacion mbi procesin gjyqësor. Edhe pse varja nuk u krye në ditën e paralajmëruar, aktivistët thonë se ajo mund të ndodhë në çdo moment.
Familjarët e Soltanit tregojnë se ai ishte thjesht një i ri që shprehte kundërshtimin ndaj regjimit. Motra e tij, avokate, ka tentuar të marrë shpjegime, por autoritetet ia kanë bërë të qartë se nuk do të bëhet dot asgjë. Aktivistët besojnë se dhjetëra protestues të tjerë mund të ndodhen në të njëjtën situatë, ndërsa bllokimi i internetit pengon daljen në dritë të rasteve të tyre.
Irani mbetet një nga vendet me numrin më të lartë të ekzekutimeve në botë, ku kryhen me qindra dënime me vdekje çdo vit dhe ka shënuar një rekord të frikshëm në vitin 2025. Shumë prej tyre bazohen në procese të mbyllura, prova të dyshimta dhe rrëfime të marra nën torturë, duke ushqyer frikën se “vinçi i varjeve” është sërish gati të vihet në lëvizje. /Corriere della Sera/

