Edhe Maqedonia në dosjet e Epstein! Tru nga vendi ynë të përdorur në hulumtime në SHBA
Maqedonia përmendet në e-maile tronditëse të milionerit amerikan të dënuar (tashmë të ndjerë) dhe shkelësit seksual Jeffrey Epstein. Në një nga e-mailet e publikuara përmbahen pretendime se tru njerëzor nga persona të ndjerë në Maqedoni janë ngrirë dhe transportuar në SHBA për qëllime shkencore-kërkimore. Në një nga e-mailet e cituara thuhet se procesi është lehtësuar nga një anëtar i stafit akademik të Universitetit Columbia, me prejardhje nga Maqedonia. Ai ka ndihmuar në organizimin e gjithë procedurës.
“Kanë marrë mostrat dhe trutë, fillimisht në Universitetin e Pittsburgh-ut, e më pas, në vitin 1994, në Columbia. Deri tani kanë mbledhur një koleksion prej rreth 1.000 trush njerëzorë — disa nga viktima të vetëvrasjes, të tjerë si tru kontrollues — të ruajtur në -112°F (gradë Fahrenheit). Vendi i vogël ballkanik Maqedonia kontribuon me trutë më të rinj, falë një anëtari të stafit të Columbia-s që është nga atje dhe ka ndihmuar në organizim.” – thuhet në e-mailin dërguar Epstein-it nga një person, emri i të cilit është tërësisht i censuruar”, thuhet në e-mail e publikuara.
E-maili është i kombinuar me një publikim dhe analizë nga “Bloomberg”, gjë që tregon edhe më shumë përpjekjen që projekti të paraqitet si një mundësi serioze shkencore dhe biznesi për një kompani që do ta komercializonte ilaçin e mundshëm. Hulumtimi, ku përmendet Maqedonia, është publikuar me titullin: “Një ilaç 50-vjeçar që mund ta zgjidhë krizën amerikane të vetëvrasjeve”, dhe i referohet hulumtimeve shkencore mbi vetëvrasjet dhe përdorimin e ketaminës.
“Trutë nga Maqedonia ngrihen menjëherë pas heqjes dhe transportohen në arka, nën mbikëqyrje, rreth 4.700 milje, për të përfunduar në kuti të zeza me madhësinë e një kutie këpucësh, të shënuara me kode QR. Brenda ka pjesë të prera të indeve rozë në qese plastike, të shënuara me marker: ana e djathtë, ana e majtë, data e mbledhjes.” – thuhet në e-mail.
Ky e-mail është gjetur në më shumë se 3 milionë dokumente, të cilat Departamenti Amerikan i Drejtësisë i publikoi më 30 janar, si pjesë e rastit “Epstein”. E-maili nuk lidhet drejtpërdrejt me skandalin seksual të Epstein-it, por është pjesë e dokumenteve të nxjerra nga korrespondenca e tij.
Edhe pse në mesazh nuk përmenden emra institucionesh apo individësh nga Maqedonia, vetë përmendja e vendit në këtë kontekst hap pyetje serioze për mënyrën e mbledhjes, përdorimit dhe nxjerrjes jashtë të materialit biologjik njerëzor, si dhe për aspektet etike dhe ligjore të hulumtimeve të tilla.

