“Fyerjet”/ Funksionarët shqiptarë heshtin, asnjë veprim nga ana e tyre

102

Derisa mungon një epilog i qartë institucional lidhur me koret fyese dhe gjuhën e urrejtjes ndaj shqiptarëve në ndeshjen mes Vardarit dhe Bashkimit, zv.kryeministri i parë Bekim Sali, në vend se të dënojë thirrjet antishqiptare dhe të marrë masa konkrete, viziton Kievin për të mbështetur Ukrainën dhe përpjekjet e popullit ukrainas për sovranitet e integritet territorial.

“Sot fillova vizitën time zyrtare në Kiev, Ukrainë, për të riafirmuar mbështetjen tonë për sovranitetin, integritetin territorial dhe të drejtën e Ukrainës për të jetuar në liri”, shkruan në Facebook, Bekim Sali, zv kryeministër i parë.

Pas përpjekjeve disa ditore për të siguruar një qëndrim nga Zv/Ministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ai u bë i gjallë tek sot, katër ditë pas ndeshjes edhe atë përmes një reagimi në facebook. Ai ka shkruar se policia ka vepruar me profesionalizëm dhe se për momentin po verifikon me kujdes të gjitha incidentet.

“Ministria e Punëve të Brendshme ka ndjekur me vëmendje ngjarjet e ndodhura gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit midis Vardar dhe Bashkimit. Ne kemi qenë aty me ekipet tona dhe policia ka vepruar sipas të gjitha procedurave për të siguruar rendin dhe sigurinë e tifozëve, lojtarëve dhe stafit”, shkruan në Facebook Astrit Iseni, Zv ministër i Punëve të Brendshme.

Ministria e Brendshme akoma nuk jep detaje nëse ka arritur të identifikojnë personat, si dhe deri ku ka arritur procedura e sanksioneve individuale për të cilat ka paralajmëruar ky institucion.

Nuk mungoi reagimi nga Zv/ kryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, por postimi i tij në fokus kishte dënimin e gjuhës së urrejtjes. Pavarësisht peshës së postit publik që e mban, ai kërkoi nga organet kompetente që të reagojnë me profesionalizëm.

“Presim nga Federata e Futbollit dhe organet kompetente të reagojnë me profesionalizëm dhe vendosmëri, deri te sanksionet e nevojshme ndaj përgjegjësve individualë dhe klubit të tyre, që situata të tilla të mos përsëriten më kurrë”, shkruan në Facebook Arben Fetai, zv kryeministër për qeverisje të mirë.

Në ndeshjen e së shtunës mes Vardarit dhe Bashkimit që po luhej pak metra larg selisë së FFM-së, tifozët vendas Komitët, gjatë tërë kohës lëshuan thirrje raciste e antishqiptare. Për këtë veprim të tyre, Federata Futbollit e dënoi Vardarin me 5 mijë euro gjobë dhe një lojë pa publik. /Alsat.m

Comments