Detaje nga atentati në magjistralen Prishtinë – Ferizaj, dyshohet për sulm të planifikuar

229

Një sulm i armatosur me elemente të qarta të atentatit është regjistruar mbrëmjen e së shtunës në magjistralen Prishtinë–Ferizaj, pranë Çagllavicës.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:20, përball një autosalloni, rreth 500 metra nga rrethi i Çagllavicës.

Siç mëson Sinjali, viktima Agim Dervishaj (48-vjeçar) ka deklaruar se derisa po lëvizte me veturë në drejtim të Ferizajt, një automjet i tipit Golf 6, ngjyrë e zezë dhe me targa të panjohura, i është afruar dhe ka shtënë me armë nga lëvizja drejtpërdrejt në drejtim të tij.

Plumbat kanë goditur veturën në pjesën e majtë të pasme, ndërsa rrethanat e sulmit ngrenë dyshime serioze se viktima ka qenë e shënjestruar.

Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë ndërhyrë hetuesi kujdestar, krim tekniku dhe njësitë e krimeve të rënda.

Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar dy gëzhoja, ndërsa është sekuestruar edhe vetura e viktimës si provë materiale, e cila ndodhet në Stacionin Policor “Jugu”.

Comments