Një shtet me dy sisteme paralele
Nëse kjo logjikë vazhdon, përfundimi është i qartë, një shtet formal me dy sisteme paralele që nuk komunikojnë mes vete. Ne do kemi universitetet, teatrot, galeritë e institucionet tona, e ju të juajat, e kjo nuk prodhon stabilitet, por stagnim dhe tension të vazhdueshëm
Nga Valmir Aziri
Është shumë simptomatik zhvillimi i marrëdhënieve ndëretnike në Republika e Maqedonisë së Veriut. Shqiptarët, për vite me radhë, kanë ndërtuar politika të matura dhe integruese, duke bërë kompromis pas kompromisi, me synimin që shteti të funksionojë dhe bashkëjetesa të marrë formë reale. Kemi qenë të hapur për dialog, bashkëpunim dhe zgjidhje të përbashkëta, shpesh edhe në dëm të interesit tonë të drejtpërdrejtë.
Megjithatë, përballë kësaj qasjeje, pala maqedonase vazhdon, në mënyrë të përsëritur, t’i perceptojë shqiptarët si kërcënim. Çdo kërkesë legjitime për barazi trajtohet si presion, ndërsa çdo avancim institucional shihet si rrezik për shtetin. Këtu qëndron problemi thelbësor, jo te kërkesat shqiptare, por te narrativa e frikës që prodhohet dhe ushqehet politikisht.
Pasojat janë të dukshme, rinia shqiptare po e humb besimin në institucionet e shtetit. Largimi nuk është më vetëm për çështje ekonomike, por shprehje e një zhgënjimi të thellë politik dhe shoqëror. Në praktikë, po konsolidohet një realitet i rrezikshëm, dy komunitetet më të mëdha jetojnë në të njëjtin shtet, por funksionojnë në dy sisteme të ndara vlerash, besimi dhe orientimi.
Kjo ndarje nuk është e rastësishme. Ajo është produkt i një qasjeje të vazhdueshme që nuk e pranon shqiptarin si të barabartë në praktikë.
Edhe më shqetësuese është tendenca për të vënë në pikëpyetje të drejtat e fituara pas luftës së vitit 2001 në Maqedoni. Këto të drejta nuk janë privilegje, por garanci themelore për stabilitetin e shtetit. Çdo përpjekje për t’i relativizuar përmes komisioneve apo interpretimeve të ngushta ligjore është jo vetëm e padrejtë, por edhe e rrezikshme.
Nuk ndërtohet besim kur njëra palë bën vazhdimisht hapa përpara, ndërsa pala tjetër vazhdon të dyshojë dhe ta trajtojë si rrezik potencial. Nuk ndërtohet shtet funksional kur një pjesë e madhe e qytetarëve jeton me ndjenjën se duhet çdo ditë të mbrojë të drejtat bazë.
Nga ky realitet buron edhe orientimi në rritje i shqiptarëve drejt Shqipërisë dhe Kosovës për zhvillim profesional dhe bashkëpunim kulturor e shkencor. Kjo është e natyrshme kur shifet qartë mungesa e perspektivës dhe e mbylljes së mundësive brenda vendit.
Nëse kjo logjikë vazhdon, përfundimi është i qartë, një shtet formal me dy sisteme paralele që nuk komunikojnë mes vete.
Ne do kemi universitetet, teatrot, galeritë e institucionet tona, e ju të juajat, e kjo nuk prodhon stabilitet, por stagnim dhe tension të vazhdueshëm.
Megjithatë, alternativa nuk është përplasja. Bashkëpunimi mbetet rruga e vetme, por ai nuk mund të jetë formal apo deklarativ. Ai duhet të mbështetet në pranimin real të barazisë, në heqjen dorë nga narrativa e kërcënimit dhe në ndërtimin e një shteti ku askush nuk ndihet qytetar i dorës së dytë.

