Fillon stërvitja ushtarake “Flash 26” në Maqedonia e Veriut, mobilizohen 1.500 ushtarë

75

Me pjesëmarrjen e rreth 1.500 pjesëtarëve të Armatës dhe me mbështetje nga mbikëqyrësit e NATO-s, nga 19 deri më 27 prill në poligonin ushtarak “Krivollak” dhe në disa lokacione të tjera në vend do të realizohet stërvitja taktike në terren “Flash 26”, përcjell TV21. Siç informoi Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneral-major Sashko Lafçiski, në brifingun e sotëm me gazetarët, “Flash 26” përfaqëson një fazë kyçe në procesin e vlerësimit të Grupit të Lehtë të Këmbësorisë në nivel batalioni, si njësi e deklaruar në NATO.

“Një nga aspektet kryesore është verifikimi i sistemit të komandimit dhe kontrollit, me qëllim identifikimin e mundësive për përmirësimin e mëtejshëm dhe funksionim më efikas”, theksoi Lafçiski.

Ai shtoi se stërvitja synon të demonstrojë gatishmërinë luftarake, përgatitjen taktike dhe ndërveprueshmërinë e njësisë në përputhje me standardet e rrepta të NATO-s.

Drejtori i stërvitjes, kolonel Igor Arsovski, sqaroi se vlerësimin do ta kryejë një ekip kombëtar i certifikuar nga shkolla e NATO-s për stërvitje ushtarake, ndërsa i gjithë procesi do të zhvillohet nën mbikëqyrjen e monitorëve të NATO-s dhe vëzhguesve nga Forcat Tokësore Multinacionale (MLF).

“Stërvitja do të zhvillohet në kushte të kontrolluara, me skenarë fiktivë të përcaktuar qartë dhe me përdorimin e forcave kundërshtare (OPFOR), gjë që do të mundësojë një testim real të komandimit, mbështetjes logjistike dhe aftësive operative të Grupit të Lehtë të Këmbësorisë”, theksoi Arsovski.

Në stërvitje do të përdoret teknologji dhe armatim modern ushtarak që posedon Armata, përfshirë automjete të blinduara JLTV të pajisura me sisteme të komandimit në distancë, helikopterë transportues Mi-8/17, mjete artilerie si obusët BORAN 105 mm dhe M2A1, si dhe mortaja 120 mm, automjete inxhinierike të specializuara “Husky 1 dhe 2” për detektimin dhe neutralizimin e mjeteve shpërthyese, si dhe dronë për zbulim dhe vëzhgim.

Përveç aktiviteteve kryesore në poligonin “Krivollak”, pjesë të stërvitjes do të realizohen edhe në kazermat në Shtip, Prilep dhe Petrovec. Arritja e personelit është planifikuar të nisë më 16 prill, hapja solemne do të mbahet më 20 prill në Pepelishte, ndërsa dita për mysafirë të lartë dhe mbyllja e stërvitjes janë caktuar për 27 prill.

Siç u theksua në brifing, përgatitjet për këtë stërvitje komplekse kanë zgjatur tetë muaj dhe kanë përfshirë një sërë konferencash dhe punëtorish, me qëllim sigurimin e koordinimit të plotë, planifikimit të saktë dhe përmbushjes së objektivave ushtarake, si dhe avancimin e mëtejshëm të ndërveprueshmërisë me partnerët e NATO-s.

Comments