Rrëfimi i trishtë i Drita Kosturit: Qemal Stafa vrau veten

873
fresco

Nga 4 deri në 5 maj 1942. Orët e fundit të djaloshit 22-vjeçar, një nga eksponentët më të rëndësishëm të lëvizjes komuniste shqiptare. Kush e dekonspiroi bazën e fshehur dhe cilët qenë personat që e dinin atë. Një histori që ka mbetur enigmë për shumë kohë.

“Unë u ngrita rastësisht në këmbë dhe vetëm pak metra larg dritares dallova njerëz të armatosur. Qemë të rrethuar, ky ishte mendimi i parë që më erdhi në mendje dhe ia thashë me zë të lartë Qemalit”

E plakur dhe e lodhur, Drita Kosturi, ish-militante komuniste dhe e fejuara e Qemal Stafës, përpiqet të rikujtojë mëngjesin e largët të 5 majit 1942. Edhe pse kanë kaluar kaq shumë vite, ajo mban mend detajet e asaj dite të frikshme. Brenda pak orësh ajo do kuptonte se kish humbur përgjithmonë të dashurin e saj. Por dhe jetën e saj të lirë. Më pas për të do të vinte burgu, internimi 40-vjeçar dhe vitet e demokracisë ku do të rikuperohej në të vërtetën historike figura e idealistit të madh Qemal Stafa.

Nga shtatë personat që ndodheshin në shtëpi, vetëm Qemal Stafa mbeti i vdekur. Gjashtë të tjerët vijuan jetën normale.

Historia e vërtetë

Qemal Stafa, kryetari i Rinisë Komuniste dhe një nga drejtuesit e lartë të Partisë mbërriti në bazën ilegale mbasditen e datës 4 maj 1942. Ishte një shtëpi përdhese e ndarë në dy pjesë. Në të parën banonte i zoti i saj, ndërsa tjetrën e kish marrë me qira prej disa kohësh një militant komunist, Beqir Minxhozi. Një person shumë i rregullt, punonjës banke, ai konsiderohej një nga personat më të sigurt dhe baza e tij ishte e pakompromentueshme. Shtëpia ishte vendosur në periferi të qytetit, pranë spitalit, me një fushë të gjerë para dhe pranë saj.

midle

Një vend ideal ku prania e karabinierëve dhe xhandarmërisë vihej re që larg. Një javë më parë kishte mbërritur në bazë Drita Kosturi, e arratisur nga një burg në Itali, pjesëtare e celulës ku bënte pjesë Nexhmije Xhuglini, Naxhije Dumi dhe Fiqirete Sanxhaktari.

Qemali qe urdhëruar të udhëtonte për në jug dhe nisja do bëhej të nesërmen. Në mëngjes njëra nga shoqet do t’i sillte një kostum të ri dhe dokumenta fallco. Qemali vuante nga një miopi që po i rëndohej dita ditës. Ai mbante një kostum blu të dhuruar nga një mik, një revolver dhe një libër me poezi të Manxonit. Atë natë duke qeshur i kërkon Dritës një sahat dhe ajo i tha se do ia gjente. Të fejuarit qëndruan bashkë në një dhomë dhe pothuajse gjithë natën kujtuan vitet e studimit në Itali, miqtë e përbashkët, midis të cilëve Ramiz Xhabinë. Një parandjenjë e çuditshme e kishte bërë Qemalin të ndjeshëm, nostalgjik, të thyeshëm ndaj kujtimeve të së kaluarës, sikur të kishte nevojë para vdekjes për t’u përballur me to. Ishte një natë e gjatë ku koncepti i kohës ngatërrohej, derisa ardhja e agut i vuri në përmasa reale. Mëngjesi i 5 majit i gjeti në këmbë.

Ishin të gjithë të zgjuar kur në bazë erdhi Kristo Themelko dhe Isuf Keçi. Të gjithë kishin dalë kur papritur Qemali thotë:”Sikur të më vrisnin dhe mua sot”. Drita qeshi duke kujtuar se ishte një Napoleon. Nuk kishte mbaruar ende frazën kur rastësisht vuri re para shtëpisë civilë të armatosur. Jemi të rrethuar thirri dhe Qemali u ngrit në këmbë. Vjaza rrëmbeu disa dokumenta dhe i kapërdiu me nxitim. Dogjën disa dokumente thyen derën e banjës dhe të gjithë dolën prej saj. Pas banjës qe një fushë e gjerë.

Unë rashë në një gropë dhe një civil m’u afrua. Pashë silhuetën e Qemalit që ikte.

Të gjithë ikën nga sytë këmbët. I vetmi dëshmitar ishte një fshatar tiranas i cili ka deklaruar se Qemali ishte i plagosur dhe mezi ecte. Pa dhënë asnjë amanet ai zbrazi plumbin e fundit mbi veten dhe i dha fund jetës së tij.

Të tjerët i çuna në kuesturë dhe më pas në morg ku Drita mori gjyslyket e tij, i vetmi kujtim nga dashuria 3 vjeçare me Qemalin.

Drita Kosturi është e bindur se ato qenë tradhëtuar nga ndokush. Në vitin 1944 u takua me Enver Hoxhën po ky i fundit nuk e hapi kurrë këtë bisedë. Drita Kosturi u arrestua në 1946 si armike e regjimit popullor. U dënua me vdekje, u fal, bëri 13 vite burg dhe kaloi pjesën tjetër të jetës në internim

(Janë shfrytëzuar të dhënat e revistës Klan) – Konica.al

Comments