Vetëvendosje nuk di gjë për sulmin ndaj bashkëshortes së Stavilecit

Partia Demokratike e Kosovës akuzoi drejtpërdrejt Lëvizjen Vetëvendosje në lidhje me sulmin fizik që i është bërë bashkëshortes së ministrit në detyrë të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, njofton Klan Kosova.
I kontaktuar nga Klan Kosova, zëdhënësi i Vetëvendosjes, Shkodran Hoti, ka thënë se nuk është fare në dijeni për këtë rast.
Sulmi ndaj bashkëshortes së Stavilecit, Vitore Stavileci ka ndodhur sot rreth orës 14:00 në lagjen Veterrnik në Prishtinë.
Sipas Policisë, e njëjta është dërguar për tretman mjekësor, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, (QKUK).
Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes si dhe përfundimit të procedurave fillestare nga ana e policisë, puna hetimore është fokusuar në identifikimin e personave të dyshuar me qëllim kapjen e tyre, si dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me këtë ngjarje.

