
Fotografia e fotografit kosovar, Haris Alija, është zgjedhur fotografia e ditës nga gazeta prestigjioze britanike The Telegraph, njofton Klan Kosova.
Fotoja është publikuar edhe në Getty Images dhe nga gazeta online Seattle Post-Intelligencer.
Në fotografinë e Alisë paraqitet tradita disa shekullore e grimimit apo makijazhit të vajzave të reja para martesës, e trashëguar brez pas brezi në Lubin të Poshtëm, një fshat boshnjak nën malin Sharr, në komunën e Prizrenit në jug të Kosovës.
Kjo është një mënyrë e pazakontë e grimit të vajzave të reja dhe rrallë mund të shihet diku tjetër. Në fytyrën e të rejave vendosen më shumë shtresa ngjyrash, duke filluar me të “bardhën”, më pas një ngjyrë e kaltër e fortë, e kuqe dhe ngjyrë ari.
Etnologët sqarojnë se tre “rrathët e artë” simbolizojnë ciklet e jetës të lidhura me njëri-tjetrin me shtigjet e arta të kalimit të jetës. “Rrathët e kuq” të brendshëm janë simbolet e fertilitetit, prej të cilave lindin pika të kuqe dhe të kaltërta, që u dëshirojnë një familje të shëndetshme dhe të lumtur.
Askush nuk e di të tregojë se si dhe nga rrjedh ky lloj makijazhi, por konsiderohet së paku është një traditë 200 vjeçare.


