Numrat e KSHZ-së zbulojnë koalicionin VMRO- LR PDSH – BESA

245

Sela të dielën në Strugë fitoi saktësisht 1500 vota të elektoratit të VMRO-së, derisa Kasamit iu “dhuruan” 1715. Më të dashur për VMRO-në, megjithatë janë njerëzit e dytë të LR-PDSH-së dhe BESËS. Arben Taravari në Gostivar mori 4778 vota nga partia e Gruevskit, derisa Zeqirija Ibrahimi në Çair – rreth 2300. Një matematikë e thjeshtë me numrat e Komisionit Shtetëror Zgjedhor zbulon koalicionin VMRO-LR-PDSH-BESA

Numrat e Komisionit Shtetëror Zgjedhor kanë “tradhtuar” marrëveshjen për koalicionim BESA-LR-PDSH, ndërsa ka nxjerr në pah se këtë koalicion, është edhe VMRO e Nikolla Gruevskit.

Shpallja e rezultateve përfundimtare nga KSHZ-ja kanë treguar se së paku, Ziadin Sela në Strugë, Arben Taravari në Gostivar, Bilall Kasami në Tetovë, si dhe Zeqirija Ibrahimi në Çair kanë pasur mbështetje nga mijëra vota të elektoratit të VMRO-së.

Një matematikë e thjeshtë tregon se Ziadin Sela të dielën në Strugë fitoi saktësisht 1500 vota të elektoratit të VMRO-së.

Duke e pas parasysh se, votat e këshilltarëve tregojnë numrin e saktë të elektoratit amë të një partie, LR-PDSH në Strugë – konkretisht Lista për këshilltarë e kësaj partie fitoi 7789 vota, kundrejt 9289 vota sa mori kandidati Ziadin Sela, ose 1500 më shumë sesa partia! Në ndërkohë, Sejad Solakovski i VMRO-së mori 4149 vota, apo 700 më pak se sa mori Lista për këshilltarë e VMRO-së në Strugë (gjithsej 4843 vota).

Kandidati tjetër i LR-PDSH-së, Arben Taravari mund t’i krenohet Selës se VMRO ka më shumë “dashuri” sesa ka Sela si lider. Në Gostivar, në rrethin e parë zgjedhor, Taravari fitoi 11.600 vota, ndërsa Lista për këshilltarë e LR-PDSH-së 6822, ose 4778 vota dallim. Përveçse nga VMRO, Taravari nuk ka pasur asnjë mundësi të marrë vota nga partitë tjera shqiptare.

Situatë e njëjtë paraqitet edhe me dy eksponentët më në zë të Lëvizjes BESA, e të cilët akuzojnë për çdo ditë se nuk bashkëpunojnë dhe nuk kërkojnë vota maqedonase. Në Tetovë, Bilall Kasami në rrethin e parë fitoi 8767 vota, ose 1715 vota më shumë sesa Lista për këshilltarë e BESËS në Komunë, që mori 7052 vota. Është interesant fakti se, nëse krahasohet numri prej 6459 votave të kandidatit të VMRO-së në Tetovë, Goran Manojlovski me 8040 votat e VMRO-së në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit 2016, del se zvogëlimi i votave të Manojlovskit të dielën kanë shkuar në llogarinë e Kasamit. Megjithatë, më i dashur për VMRO-në, njëjtë sikurse Taravari te LR-PDSH, te BESA është nënkryetari Zeqirija Ibrahimi, njëherësh kandidat për Komunën e Çairit. Ibrahimi të dielën arriti të grumbullojë 10.202 vota, kundrejt 7898 votave të Listës për këshilltarë, ose 2304 më shumë se sa partia! Kur marrim parasysh se sa vota fitoi kandidatja e VMRO-së dhe Lista e kësaj partie, matematika tregon se Ibrahimi rreth 2300 vota i ka marrë nga partneri i koalicionit VMRO.

Nermin Tolovska, kandidate e VMRO-së në Çair, të dielën fitoi 3441 vota, ndërsa në zgjedhjet e parakohshme parlamentare vitin e kaluar, VMRO e Gruevskit kishte marrë 6831 votë. Dallimi i këtij numri prej rreth 2300 tregon se votat e VMRO-së që në rrethin e parë kanë shkuar në llogarinë e Ibrahimit.

Comments