Kryeministri Zoran Zaev sot deklaroi se PDSH-ja i ka dyert e hapura për të hyrë në koalicionin qeveritar nëse i pranon programin e Qeverisë dhe projektet për të cilat ajo angazhohet.
Zaev i cili sot së bashku me kandidatin e BDI-së për kryetar të Çairit Visar Ganiu vizitoi disa vende në këtë komunë të Shkupit, tha se deri tani nuk kanë janë ulur në tryezë të bëjnë kombinime për Qeverinë e re, por nuk përjashton ndryshime në Qeveri pas zgjedhjeve lokale.
“Thash edhe më herët, të gjitha variantet janë të hapura. Gjithsesi ne kemi qeveri stabile, ndërsa shumica pres të rritet. Nëse marrin vendime një pjesë e partive më të vogla në Qeveri siç është Aleanca ne jemi të gatshëm. Njëra ndër alternativat është edhe PDSH të jetë pjesë përbërëse e Qeverisë. Është me rëndësi që programi të pranohet, nëse qëndrojnë pas projekteve të cilat i kemi premtuar para qytetarëve, së bashku t’i realizojmë. Deri tani nuk jemi ulur në tryezë të bëjmë kombinime për Qeveri të re, ndryshime të Qeverisë apo të ngjashme. Gjithsesi, zgjedhjet lokale janë shumë të rëndësishme, komunat janë shumë të rëndësishme dhe nuk do të jetë çudi ajo nëse shkakton ndryshime të caktuara, por nuk do të jetë çudi nëse mbesin pozitat e njëjta. Ne jemi të gatshëm gjithsesi ndërtojmë miqësi me të gjithë. Shpresojmë se kapaciteti dhe numri në Parlament do të rritet, por shpresoj dhe se opozita e ardhshme do të jetë edhe më konstruktive, drejtpërdrejt e përfshirë në të gjitha proceset në Maqedoni, sepse opozitë e fuqishme do të thotë pushte i fuqishëm, ndërsa opozitë e dobët do të thotë pushtet pa kontroll”, deklaroi Zaevi, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve për spekulimet se PDSH do të hyjë në Qeveri në vendin e Aleancës për Shqiptarët.
Zaevi dhe Ganiu sot e prentuan projektin ideor për kampusin e Universitetit “Nënë Terezë” që duhet të ndërtohet te kazerma “Ilinden”. Zaevi tha se kampusi është projekt qeveritar dhe paralajmëri se vitin e ardhshëm nga buxheti do të sigurohen mjetet për realizimin e tij. Zaevi dhe Ganiu patën takime me banorët e Fushë Tophanë.