Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan ka shprehur kritika për shpalosjen e posterit të kreut PKK, Abdullah Ocalan, në Rakka të Sirisë, pasi kontrolli i qytetit u mor nga PYD, krahu i PKK-së në Siri, e cila është mbështetur nga SHBA, raporton (AA).
Kur qyteti lindor Rakka në Siri u mor nën kontroll më herët këtë javë nga forcat e PKK/PYD-së, organizata shpalosi një poster me imazhin e liderit Abdullah Ocalan në sheshin kryesor.
“Posterin e Ocalanit e kanë varur në një vend në Rakka. Si do ta shpjegojë Amerika këtë? Ju thoni se PKK-ja është organizatë . Edhe vendet e Bashkimit Evropian e cilësojnë si organizatë terroriste. Në Francë, në ndërtesën e televizionit shtetëror, posterin e kreut terrorist e afishuan gjithashtu në të njëjtën mënyrë dhe policia vetëm shikon nga anash. Po këtë si do ta shpjegojnë…?”, tha presidenti i Turqisë në një konferencë për shtyp, pas samitit të Organizatës G-8 për Bashkëpunim Ekonomik që u mbajt në Stamboll.
SHBA-të kanë mbështetur PYD-në, e cila me disa grupe të tjera veprojnë nën emrin Forcat Demokratike Siriane (FDS), ndërsa e konsiderojnë FDS-në si një “partner të besueshëm” në luftën e saj kundër DEASH-it dhe kanë vazhduar ta mbështesin me armë dhe pajisje, edhe përkundër kundërshtimeve të forta nga Turqia.
“A është ky solidarizimi në luftën kundër terrorizmit? Ndërkohë, kur zhvillojmë bisedime dypalëshe, ata shprehen se janë në anën tonë në luftën kundër terrorizmit. Ne nuk e besojmë një gjë të tillë, nuk ndodheni në anën tonë, sepse po të ishit nuk do t’i mbronit këto me policinë tuaj”, theksoi Erdoğan.
“Në Gjermani zhvillojnë marshim, ku nën praninë e policisë, të siguruar marshojnë së bashku me posterë dhe me brohoritje të çdo lloji. Nuk janë të sinqertë. Unë i bëj thirrje që fillimisht të jenë të sinqertë, pastaj të mos vijnë herë pas herë e të kërkojnë diçka nga ne. Duhet të dijnë se se çdo gjë ka një kundërpërgjigje”, tha presidenti turk Erdoğan.