A do të shpallet sot gjendje e jashtëzakonshme në Kosovë?

489

Numri i rasteve me koronavirus në Kosovë po rritet çdo ditë që nga konfirmimi i dy rasteve të para në Viti dhe Klinë.

Përveç rritjes së numrit të të prekurve, në Kosovë është zgjëruar edhe harta e qyteteve të prekura nga COVID19, shkruan lajmi.net.

Sot, edhe qyteti i Gjakovës është prekur nga virusi korona, ku kanë rezultuar pozitiv një çift i kthyer nga Gjermania, një mashkull i moshës 54 vjeç dhe një femër 49 vjeçare – që e kanë ngritur në 19 numrin e të prekurve në Kosovë.

Përveç Gjakovës, Vitia i prinë qyteteve të Kosovës me më së shumti të prekur nga koronavirusi, gjithsej 7 raste, ndërsa pasohet nga Malisheva me 4 raste.

Klina, Prizreni, Obliqi dhe Prishtina kanë nga një rast me koronavirus ndërsa Podujeva ka 2 raste.

Sipas të dhënave zyrtare, 6 prej të infektuarve me koronavirus janë duke u trajtuar në kushte shtëpie ndërsa 13 prej tyre janë të hospitalizuar.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pas mbledhjes me Këshillin Kombëtar të Sigurisë ka propozuar Kuvendit të Kosovës që të shpallet gjendje e jashtëzakonshme, propozim ky i cili është kundërshtuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në anën tjetër, Kurti ka rënë në kundërshtim edhe me liderin e partisë me të cilën është në koalicion, LDK, pasi i pari i kësaj partie, Isa Mustafa gjatë ditës kishte kërkuar që të shpallet gjendje e jashtëzakonshme.

Në anën tjetër, pasi Kurti kundërshtoi gjendjen e jashtëzakonshme ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, njëherit nënkryetar i LDK-së, Agim Veliu i cili tha se duhet të shpallet gjendja e jashtëzakonshme.

Por, me këtë nuk janë pajtuar ministrat e Kurtit. Albulena Haxhiu nëpërmjet një postimi në Facebookun e saj është shprehur se Thaçi po e do primatin edhe në luftën kundër Koronavirusit. /Lajmi.net/ 

Comments