![A ka në Kosovë më shumë raste kanceri se sa në rajon? [Video] A ka në Kosovë më shumë raste kanceri se sa në rajon? [Video]](http://www.gazetaexpress.com/public/uploads/image/2017/01/633x347/kanceri_1485559652-1093409.jpg)
Numri relativisht i madh i rasteve të kancerit dhe sidomos vdekjet e shpeshta të njerëzve nga kjo sëmundje, kanë bërë që të krijohet përshtypja se në Kosovë, po vdesin njerëz nga kanceri më shumë se sa në vendet e tjera.
Kjo përshtypje mund të përforcohet nëse shikohen statistikat e të prekurve nga kanceri nga njëri në vit në tjetrin.
Gjatë vitit 2015, në Kosovë kishte pasur rreth 900 raste të kancerit, kurse gjatë 2016-s, janë regjistruar 1238 raste të pacientëve me kancer.
Megjithatë, doktorët që merren me pacientët me kancer, thonë se këto shifra nuk tregojnë domosdoshmërisht për ngritjen e numrit të rasteve me kancer, por më shumë për një lloj vetëdijesimi për kontrolle më të shpeshta dhe më të hershme nga ata që dyshojnë se mund të kenë kancer.
Po ashtu, doktorë si Skender Baca, Fitim Selimi dhe Arben Bislimi, kanë thënë për emisionin COSMO të KTV-së, se kanceri nuk shkakton vdekje më shumë në Kosovë se sa në vendet e tjera dhe se madje numri i rasteve me kancer në Kosovë është më i vogël se sa në disa vende të tjera të rajonit siç është Maqedonia.

