
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti i ka ftuar sot liderët e partive parlamentare shqiptare në takim të përbashkët, i cili është planifikuar të mbahet në hotelin “Aleksandar Pallas” në Shkup.
BDI pretendon se ky takim po bëhet që të shqyrtohet implementimi i përcaktimeve programore të bazuara në Deklaratën e Përbashkët të partive shqiptare. Por, kjo ftesë është refuzuar nga Lëvizja BESA.

Kjo parti propozon që një takim i të tillë të mbahet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, ndërkaq si pikë e rendit të ditës të shqyrtohet raporti nga BDI dhe Aleanca për Shqiptarët për atë se çka është përfshirë në programin qeveritar nga deklarata e përbashkët e partive politike shqiptare dhe me çfarë dinamike do të zbatohet.
BESA propozon që në takim të diskutohet edhe për përpunimin e planit për Propozim-ligjin për gjuhën shqipe dhe formimin e grupeve të punës për implementimin e tij.
Lideri i Lëvizjes për Reforma – PDSH Ziadin Sela dje e konfirmoi pjesëmarrjen e tij në takim.