Ahmeti: Mandat të fortë që të jemi vendimtarë



Kryetari, Ali Ahmeti, tha se BDI do t’i qëndrojë besnike bindjeve të saj dhe përbetimeve në të mirën e qytetarëve shqiptarë.
Nuk ka as qeveri e as institucione që mund të bëhen pa pjesëmarrjen e Bashkimit Demokratik për Integrim, pasi ky subjekt politik është mbrojtësi i vetëm i kauzës shqiptare dhe nuk ka forcë që mund të përballet me të tjerët përveç BDI-së, tha lideri i këtij subjekti politik, Ali Ahmeti, sipas të cilit BDI dëshiron mandat të fortë, pasi që do të jenë edhe vendimtarët në qeverinë e ardhshme.
“Vota për BDI-në është votë për vazhdimin e rrugës euroatlantike që ka si për qëllim kjo parti, si dhe për sigurimin e një të ardhme më të mirë për gjeneratat e reja të këtij vendi”,– tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili u zotua se BDI do të angazhohet për mirëqenien sociale dhe ekonomike, barazinë e plotë të shqiptarëve të Maqedonisë në të gjitha fushat, si dhe përfundimin e proceseve të integrimit euroatlantik të vendit, pasi që, sipas liderit të integristëve, opsion i vetëm për shqiptarët është integrimi në BE dhe NATO dhe të gjitha ideologjitë e tjera e dërgojnë vendin mbrapsht.
Ahmeti tha se BDI gjatë gjithë kësaj kohe është angazhuar për reforma partiake dhe për promovimin e kuadrove të reja të cilat sot drejtojnë institucionet më të rëndësishme të vendit.
“Unë jam krenar që ne në vazhdimësi kemi ngritur kuadro, kemi punuar për të pasur njerëz të cilët marrin përgjegjësi dhe aspak nuk kemi gabuar. Nuk është sukses të ngelesh në vend, ose me njerëz e kuadro të kufizuar. Pa më thoni një vend në rajon, kush bëri ndryshime dhe ato ndryshime të mos reflektojnë në hidhërime, por me vullnet nga të gjithë, këtë e bëri vetëm BDI-ja, një forcë që burim ka atdhetarinë, patriotizmin dhe historinë, sepse në këtë Bashkim Demokratik për Integrim aderojnë luftëtarë me shumicë, atdhetarë me shumicë, lëvizje që kanë vepruar për të ndryshuar dhe për të siguruar liri, drejtësi e barazi, jo vetëm për këtë vend, por edhe për në Kosovë e më gjerë”,– deklaroi kryetari i BDI-SË, Ali Ahmeti.
Ahmeti gjithashtu para banorëve të Tearcës tha se copëtimi i votës shqiptare do të dëmtojë procesin e faktorizimit të çështjes shqiptare në vend.
“Dua populli që më ka besuar të di edhe brengat e mia, unë kam brengë se po copëtohet vota shqiptare. Nuk kam bërë hipokrizi kur kam thënë le të bashkohen të gjithë dhe të fitojnë BDI-në, le të humb BDI, por mos të humbin shqiptarët, pasi humbja e shqiptarëve më dhemb mua dhe të gjithë bashkëveprimtarëve të çështjes shqiptare. Qeveritë shkojnë e vijnë, shqiptaria, dinjiteti, ardhmëria duhet të mbeten”,– tha mes tjerash lideri i integristëve.
Ahmeti u adresoi kritika oponentëve të tij politik se nuk kanë ndonjë platformë, por kanë synim vetëm shkatërrimin e Bashkimit Demokratik për Integrim. Ai u bëri thirrje partive opozitare që të ofrojnë diçka më të mirë se ajo çka ofron BDI.
Ndërkohë shefi i Shtabit Qendror Zgjedhor, Bekim Neziri, tha se “që një parti të dalë në mejdan, duhet t’i përgjigjet popullatës se çka në fakt ka realizuar në të kaluarën”.
Neziri u apeloi aktivistëve që të dalin derë më derë dhe të bindin çdo qytetarë se nuk ka tjetër subjekt që mund të kontribuoj për të mirën e shqiptarëve të Maqedonisë pos BDI-së, kurse votat për subjektet tjera politike do të dëmtojnë elektoratin shqiptar në Maqedoni.
“Fenomeni i përçarjes së votës shqiptare është fenomen i rrezikshëm. Çdo subjekt politik që është i treti dhe garon do të shkaktojë dëm. Votat e tyre do i humbin dhe ato do të shkojnë në mullirin e subjekteve politike maqedonase. Mos lejoni që vota e shqiptarëve t’i faktorizon blloqet politike maqedonase”,– tha mes tjerash Neziri, i cili u shpreh optimist për fitoren e BDI-së në zgjedhjet parlamentare të 11 dhjetorit.
“Se BDI është fituese absolute në vendin tonë nuk ka asnjë dyshim, këtë jo që e themi ne të BDI-së, por këtë e thonë edhe ata që janë konkurrent të BDI-së, mirëpo kjo nuk duhet të na japë komoditet dhe ne të presim e mos të punojmë deri më datën 11 dhjetor, kjo duhet të na shtyjë që nga sot të ndezim të gjithë motorët, të bindim ata që nuk mendojnë si ne, se e vetmja forcë politike është BDI në krye me Ali Ahmeti”,- theksoi shefi i Shtabit Zgjedhor, Bekim Neziri.
Krerët e BDI-së para banorëve të komunës së Tearcës thanë se BDI është e përkushtuar edhe në ndaljen e emigrimit të të rinjve jashtë vendit, duke ju ofruar punë këtu në vend.
Sipas krerëve të BDI-së, me hapjen e fabrikave të reja në zonat e lira ekonomike në Maqedoninë Veriperëndimore të rinjve do t’u ofrohet perspektivë për të punuar në Maqedoni, ndërsa porositën të rinjtë që të profesionalizohen në dega të ndryshme.
Nga BDI përsëritën qëndrimin se do të përkrahin investitorët e vendit dhe të huaj, pasi që si një ndër prioritetet kryesore kanë mirëqenien ekonomike dhe zbutjen e papunësisë.