AKI drejt shpërbërjes: Ziadin Sela largohet, krisje të thella me Taravarin

169
fresco

Burime nga BDI: Koalicioni opozitar në prag të kolapsit politik
Nga burime të besueshme brenda BDI-së mësohet se Koalicioni AKI tashmë është pothuajse i shpërbërë. Të njëjtat burime pohojnë se Ziadin Sela përfundimisht ka braktisur koalicionin, duke iu referuar një takimi që ai ka zhvilluar së fundmi me Ali Ahmetin.

Një tjetër sinjal që e vërteton këtë prishje është edhe konferenca e sotme e deputetëve të ASH-së –Halil Snopçe dhe Rijad Shaqiri ,e mbajtur pa praninë e deputetëve të AKI-së. Tema e konferencës kishte të bënte me përfundimin zyrtar të zgjedhjeve dhe përsëritjen e tyre në komunat ku procesi dështoi për shkak të mosarritjes së censusit zgjedhor prej një të tretës së votuesve.

Sipas ligjit, në këto komuna duhet të organizohen zgjedhje të reja brenda 60 ditëve, ndërsa deri atëherë, qeveria duhet të caktojë persona të besuar që do t’i udhëheqin përkohësisht komunat.

Pas paraqitjes publike të Snopçes dhe mungesës së deputetëve të AKI-së, dilemat mbi qëndrueshmërinë e koalicionit janë bërë edhe më të qarta.
Burime të afërta me proceset politike theksojnë se pakënaqësitë brenda dy aleancave, asaj të Taravarit dhe Selës, janë thelluar ndjeshëm, dhe se janë paralajmëruar largime të deputetëve nëse dy liderët nuk reflektojnë dhe nuk marrin përgjegjësi për dështimin në shumicën e komunave ku garuan.

Evidente është se Sela dhe Taravari, për shkak të egove personale, po mbajnë peng strukturat dhe aktivistët e dy aleancave, duke u bërë pengesa kryesore për çdo përpjekje bashkimi të mundshëm të kësaj partie tashmë të ndarë në tri pjesë.
Mbetet të shihet në ditët në vijim nëse BDI do të garojë me kandidatët e saj në komunat ku dështuan zgjedhjet, si dhe nëse deputetët e dy aleancave do të ndërmarrin lëvizje drejt bashkimit me kampin qeveritar.

Një pjesë e tyre, sipas burimeve, tashmë konsiderohen pjesë e grupit që nuk devijoi nga qëllimi fillestar për të cilin u krijua Aleanca për Shqiptarët, qëllimi për të sjellë ndryshimin e shumëpritur edhe në politikën shqiptare.

Comments