Aksident i rëndë në Vlorë, humb jetën 17-vjeçari
Një aksident i rëndë ka ndodhur rreth orës 01:30 të natës së djeshme në qytetin e Vlorës, ku një 17-vjeçar ka humbur jetën në mënyrë tragjike pasi u përplas nga një makinë teksa po udhëtonte me motor. Viktima është identifikuar si Leandro Shametaj, 17 vjeç.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, përplasja ka qenë fatale dhe i mituri ka ndërruar jetë menjëherë. Të njëjtat burime tregojnë se për shkak të goditjes së fortë, trupi i viktimës është dëmtuar rëndë.
Dyshohet se i riu që drejtonte makinën tip Porsche mund të ketë qenë nën efektin e alkoolit dhe me shpejtësi të lartë.
Sipas njoftimeve zyrtare, mjeti me targë AB737UI, që drejtohej nga Haiti Bajramaj, 32 vjeç, është përplasur me motomjetin me targë CA305, që drejtohej nga Leandro Shametaj, vetëm 17 vjeç.
I riu u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, por, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra.
Drejtuesi i automjetit, Haiti Bajramaj, është shoqëruar nga policia në ambientet e DVP Vlorë, ndërsa grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit tragjik.

