Pesë persona të lënduar rëndë në mesin e të cilëve, tre fëmijë dhe dy gra është bilanci i aksidentit të mëngjesit të sotëm, që ndodhi në autostradën Tetovë – Gostivar, ku u përplasën tre makina, një citroen, një makinë e tipit reno dhe një mercedes.
Deri tek aksidenti ka ardhur si pasojë e vozitjes së shpejtë, ndërkohë që është shkaktuar edhe dëm i konsiderueshëm material, si në makinat e përplasura, po ashtu edhe në mburojat e autostradës. Për pasoj të aksidentit në fjalë të ndodhur në ora 6 e 55 minuta, për dy orë, autostrada ka qenë e bllokuar për vozitësit, ndërsa makinat janë orientuar kah rruga e vjetër, Tetovë Gostivar, gjegjësisht, janë kyçur në fshatin Kamjan dhe janë kthyer në autostradë në hyrjen në fshatin Bogovinë.
Personat e lënduar, fillimisht janë trajtuar në spitalin klinik të Tetovës, ndërsa më vonë, shkaku i lëndimeve, janë orientuar për në klinikat e Shkupit, ku edhe mbahen për kurim. Sektori i punëve të brendshme dhe prokurori kujdestar, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë investigimet për rastin në fjalë, ndërsa brenda ditëve pritet të zbardhen edhe arsyet e sakta të ndodhisë.