Ali Ahmeti nga Zhelina: Aleanca Kombëtare nuk ndalet, ky është mobilizim për dinjitetin shqiptar!

69
fresco

Gjatë tubimit të madh elektoral që u mbajt sonte në Zhelinë nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) në mbështetje të kandidatit për kryetar komune, Emir Sulejmani, një ndër fjalimet më të forta dhe më të thella politike u mbajt nga Ali Ahmeti, njëri ndër figurat qendrore të skenës politike shqiptare.

Në fjalën e tij, Ahmeti foli hapur për sfidat aktuale politike dhe zhvillimet e fundit në vend, duke theksuar se krijimi i Aleancës Kombëtare është përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj përpjekjeve për të shtyrë prapa interesat shqiptare, njofton TS.

“Ka pasur përpjekje dhe bisedime të shumta për të kuptuar realitetin e ri që po vjen në mënyrë të fshehtë dhe nga prapaskenat. Dhe ne kemi bashkëpunuar me disa parti shqiptare për të ndërtuar frontin evropian. Por këtu nuk ndalemi, vazhdojmë më tej, të gjithë bashkërisht, për ta bërë Aleancën Kombëtare më të fortë dhe më të organizuar,” deklaroi Ahmeti.

Ai shtoi se ky organizim nuk është thjesht strategji elektorale, por thirrje për mobilizim kombëtar, për të ruajtur dinjitetin dhe për të mbrojtur të arriturat historike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Marrëveshja e Ohrit nuk është dhuratë e asnjë politikani maqedonas, ajo është rezultat i gjakut, i përkushtimit dhe i sakrificës. Atyre që u pëlqen apo jo, kjo aleancë është realitet, dhe është e vetmja rrugë përpara për shqiptarët,” theksoi ndër të tjera Ahmeti.

Tubimi në Zhelinë shënoi një moment të rëndësishëm për fushatën e AKI-së dhe për konsolidimin e mbështetjes ndaj kandidatit Emir Sulejmani, i cili po shihet si përfaqësues i brezit të ri të politikanëve shqiptarë me vizion të qartë për zhvillim dhe dinjitet kombëtar./TS

Comments