Ambasada Amerikane sqaron vendimin e DASH për pezullimin e vizave të emigrimit
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka publikuar një njoftim sqarues lidhur me përpunimin e vizave emigruese, duke konfirmuar se duke filluar nga 21 janari 2026, Departamenti Amerikan i Shtetit do të pezullojë lëshimin e vizave emigruese për shtetasit e një liste vendesh të konsideruara me “rrezik të lartë të përdorimit të përfitimeve publike”, ku përfshihet edhe Shqipëria.
Sipas njoftimit zyrtar, vendimi është pjesë e një rishikimi të gjerë të politikave të emigracionit të administratës Trump, me synimin që emigrantët në SHBA të jenë financiarisht të vetë-mjaftueshëm dhe të mos përbëjnë barrë për sistemin amerikan të ndihmës sociale.
Ambasada thekson se pezullimi prek vetëm vizat emigruese (green card, bashkim familjar për qëndrim të përhershëm, etj.). Vizat jo-emigruese, si ato turistike, studentore, për biznes apo vizita familjare, nuk preken nga ky vendim dhe vijojnë të përpunohen normalisht.
Sa i përket aplikantëve që kanë tashmë një takim për intervistë, Departamenti i Shtetit sqaron se aplikimet mund të dorëzohen dhe intervistat do të zhvillohen, por asnjë vizë emigruese nuk do të lëshohet për shtetasit e vendeve të përfshira gjatë periudhës së pezullimit.
Një përjashtim parashikohet për personat me dyshtetësi, të cilët aplikojnë me një pasaportë të vlefshme të një vendi që nuk është në listën e prekur.
Po ashtu, Ambasada sqaron se asnjë vizë emigruese e vlefshme aktualisht nuk është anuluar, ndërsa çështjet që lidhen me hyrjen në territorin amerikan janë në kompetencë të Departamentit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve.
Në përfundim, Ambasada Amerikane nënvizon se kjo masë nuk është ndalim udhëtimi, por një pezullim i përkohshëm i një kategorie specifike vizash, në kuadër të politikës së re amerikane të emigracionit.

