Analistët presin rezultate pozitive nga takimi Bislimi – Petkoviq

195
fresco

Analistë të zhvillimeve politike në vend, ndajnë mendime të ndryshme për sa i përket mundësisë së arritjes të një marrëveshjeje për targat ilegale serbe. Por, ata besojnë se nga takimi i sotëm Lajçak –Bislimi – Petkoviq në Bruksel, mund të ketë marrëveshje, marrë parasysh presionin e faktorit ndërkombëtar për gjetjen e zgjidhjes.
Pas takimit të së hënës, ndërmjet kryediplomatit evropian, Josep Borrell, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që përfundoi pa ndonjë marrëveshje për targat, edhe sot, në Bruksel do të takohen kryenegociatori i Kosovës dhe ai i Serbisë. Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për Dialogun, Mirosllav Lajçak, do të diskutojnë për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e targat. Profesori universitar Dritëro Arifi, i tha Radio Kosovës se e vlerëson pozitiv mbajtjen e këtij takimi prej ku thotë se mund të ketë një zgjidhje.

“Si do të rrjedhë takimi, është e vështirë të parashihet, por një zgjidhje do të arrihet, sepse asnjëra palë nuk guxon të shkojë e të kthehet në vendet e tyre pa ndonjë zgjidhje, kur situata është si është. Presioni ndërkombëtar është i madh, e sidomos tash presioni amerikan, ku po vërehet se pati efekt te të dyja palët. Edhe te pala kosovare pati efekt, sepse u shty vendimi prapë dhe e kuptuam se Bashkimi Evropian nuk ka mekanizma të fuqishëm që mund t’i detyrojë palët të ulen dhe të gjejnë një marrëveshje”, tha Arifi.

Marrë për bazë zhvillimet e ditëve të fundit, politologia Arta Tahiri-Beqa, thotë se është skeptike për sa i përket mundësisë së gjetjes së një pajtimi për çështjen e targave ilegale serbe në Kosovë.

“Besoj se marrëveshja për targat me shkuarjen e kryenegociatorëve, sot në Bruksel, nuk do të jetë një zgjidhje. Sepse, nëse zgjidhje nuk pati në një takim siç ishte ai i kryeministrit Kurti dhe presidentit të Serbisë, Vuçiq, sigurisht se nuk pres një zgjidhje për çështjen e targave, në një nivel më të ulët të përfaqësimit. Po ashtu, riaktivizimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës tregon se kjo çështje tashmë do të kalojë në një fazë tjetër”, tha Tahiri Beqa.

Analistët Dritëro Arifi dhe Arta Tahiri-Beqa, e vlerësojnë si hap pozitiv vendimin e Qeverisë së Kosovës për shtyrjen për 48 orë të kohës së fillimit të shqiptimit të gjobave ndaj qytetarëve që vozisin automjete me targa ilegale serbe në Kosovë. Ky afat shtesë që erdhi pas kërkesës së Ambasadorit të SHBA-së në Prishtinë, përfundon nesër.

Comments