Analizë | Merz dëshiron ushtrinë më të fortë të kontinentit. A po rikthehet çështja gjermane në Europë?

112

Gjermania po hyn në një fazë të re të rishikimit të rolit të saj në Europë dhe në botë. Kancelari Friedrich Merz ka shpallur si objektiv forcimin e Bundesëehr-it për ta bërë “ushtrinë konvencionale më të fuqishme në Europë, sa më shpejt të jetë e mundur”, një deklaratë që po nxit debat mbi rikthimin e të ashtuquajturës “çështje gjermane” në kontinent.

Gazetari Federico Fubini shkruan në një artikull për Corriere della Sera se nuk gjen dot dy vende, historitë e të cilave kanë qenë kaq paralele në një shekull e gjysmë të fundit, sa ato të Gjermanisë dhe Japonisë.

Në këtë shkrim, ai i sheh zhvillimet e fundit në Berlin në një kontekst më të gjerë ndërkombëtar, ku Gjermania, ashtu si Japonia, po përballet me pasiguri të reja gjeopolitike. Të dyja vendet, imitojnë dhe zgjerojnë teknologjitë e zhvilluara gjetkë në shekullin XIX, por brenda pak dekadash ngjiten në majat e kapacitetit prodhues dhe ndjekin, që para Luftës së Parë Botërore, një imperializëm agresiv që do t’i çonte në katastrofat e Dresdenit, Hiroshimës dhe Nagasakit në vitin 1945.

Më pas, të dyja heqin dorë jo vetëm nga identiteti i tyre perandorak, por edhe nga një pjesë shumë e madhe e kapaciteteve ushtarake, duke i kthyer pothuajse në tabu, dhe rilindin në periudhën pas luftës si fuqi eksportuese makinash, makinerish dhe mallrash të tjera kapitale.

Të dyja lulëzojnë në globalizimin e udhëhequr nga SHBA-të si aleate të privilegjuara të vendit lider, por përplasen me kufijtë e një modeli zhvillimi të varur nga eksporti dhe të minuar nga kriza demografike dhe dobësia e konsumit të brendshëm. Të dyja përjetojnë vitet e fundit tensionin që buron nga fqinjë më të mëdhenj, me ushtri më të forta dhe të vendosur për të rishkruar rendin botëror të pas Luftës së Ftohtë (për Japoninë Kina, për Gjermaninë Rusia).

Së fundi, të dyja destabilizohen nga dyshime të reja mbi garancitë amerikane të sigurisë. Për këtë arsye, të shohësh Japoninë sot ndihmon për të reflektuar mbi Gjermaninë. Dhe të kuptosh logjikën e Sanae Takaichi-t, kryeministres së Tokios që fitoi bindshëm zgjedhjet tetë ditë më parë, mund të ndihmojë për të kuptuar edhe atë të homologut të saj në Berlin, Friedrich Merz, apo ndoshta të qeverisë gjermane që do të vijë pas asaj aktuale.

Një histori industriale me dy drejtime

E kaluara hedh pak dritë mbi të tashmen. Historia e Gjermanisë dhe Japonisë është shënuar nga ndjekja e vendit lider për një shekull e gjysmë. Në tërësi, është një ndjekje e papërfunduar: për pjesën më të madhe të kësaj periudhe, të dy vendet kanë qenë shumë larg niveleve të të ardhurave për frymë të SHBA-ve dhe, kur janë afruar, kanë humbur sërish terren.

-Në 1871 Gjermania ishte në 58% të të ardhurave amerikane dhe Japonia rreth 20%.

-Në 1914, në fillim të Luftës së Madhe, Gjermania ishte në 53% dhe Japonia në 26%.

-Në 1939, në fillim të Luftës së Dytë Botërore, Gjermania ishte në 77% dhe Japonia në 43%.

-Në 1946, pas disfatës, Gjermania ishte në 24% dhe Japonia në 19%.

-Në 1984, në prag të ngadalësimit japonez, Gjermania dhe Japonia ishin në 73%.

-Në 2011 ishin respektivisht në 87% dhe 70% të SHBA-së.

-Në 2022 kishin humbur terren: 79% dhe 65%.

Mësimi i vitit 1945

Japonia dhe Gjermania e shndërruan mësimin e ashpër të vitit 1945 në fuqi industriale dhe u bënë përkatësisht vendi i parë në botë për “kompleksitet ekonomik” dhe i pari në Bashkimin Europian. Kjo është një renditje e zhvilluar në Universitetin e Harvardit që mat shumëllojshmërinë e produkteve dhe tregjeve të arritura, si indeks i dijes së brendshme të çdo ekonomie.

Por papritur, me fundin e asaj që filozofi gjerman Peter Sloterdijk e quan “pushim nga historia”, në Berlin dhe Tokio u kuptua se aftësia për të dominuar tregjet globale nuk mjafton më.

Nuk mjafton sepse inovacionet e përsëritura të SHBA-ve (dhe tani të Kinës) e zbehin ndjekjen teknologjike japonezo-gjermane, i shtyjnë sërish pas në raport me të ardhurat amerikane dhe i bëjnë të varura nga jashtë për materiale dhe funksione jetike. Shantazhi i parë i Pekinit ndaj Japonisë për mineralet e rralla daton në vitin 2010.

Të ndryshosh identitet?

Identiteti i ri si superfuqi eksporti nuk mjafton më as për arsye të tjera.

E para: fuqitë revisioniste tronditin ndjenjën e sigurisë. Rusia me agresionin ndaj Ukrainës dhe sulmet hibride, Kina me presionin mbi Tajvanin dhe kërcënimet ndaj Tokios.

E dyta: hija mbi angazhimin amerikan për t’i mbrojtur.

E treta: fundi i indiferencës dashamirëse amerikane ndaj suksesit të tyre në tregjet botërore.

Trump është një gjë tjetër. Dhe edhe nëse epoka e tij do të kalojë, rishikimi i politikës së jashtme dhe tarifat shkojnë përtej kulturës Maga. Trump nuk mund të kthehet në të pashpikur.

Fuqitë e mesme të cenueshme

Gjermania dhe Japonia zgjohen në një botë tjetër. Nuk janë superfuqi, por të parat mes fuqive të mesme, pra më të ekspozuarat. Në një sistem ndërkombëtar të rikthyer në darvinizëm, janë pre e lakmuar.

Prandaj është interesante, në këndvështrim europian, të shihet si reagon Sanae Takaichi. Receta e saj: një dozë e fortë nacionalizmi ekonomik, ndërhyrje në sektorët strategjikë dhe forcim i mbrojtjes. Jo vetëm gjysmëpërçues dhe robotikë, por edhe ushtria: Japonia rikthen forcimin ushtarak.

Projekti i kancelarit gjerman

Ndryshimi i madh me Gjermaninë është financa publike: Tokio ka borxh shumë të lartë, Berlini lëviz më i sigurt.

Friedrich Merz është europianist, por prioriteti i tij është Gjermania. Nuk flet për ushtri europiane të integruar; synon ta bëjë Bundeswehr-in “ushtrinë konvencionale më të fuqishme në Europë, sa më shpejt të jetë e mundur”.

Edhe në industrinë hapësinore, Berlini lëviz vetëm, me investime 35 miliardë deri në 2030, për lëshime orbitale autonome dhe satelitë komunikimi e inteligjence, pa varësi nga askush.

Çështja bërthamore

Tema e armëve bërthamore është shumë delikate. Rusia ka 1 mijë e 674 koka, SHBA 1 mijë e 670, Franca 290.

Merz ka nisur diskutime me Emmanuel Macron për “parandalimin bërthamor europian”. Por forca bërthamore franceze mbetet franceze. Nuk është realiste të kërkohet nga Parisi të rrezikojë një qytet francez për të mbrojtur një tjetër europian.

Nëse përçarja me SHBA-të thellohet dhe tensionet me Moskën mbeten të larta, nuk është e paimagjinueshme që Gjermania të nisë një program të vetin bërthamor në vitet e ardhshme.

Rikthimi i çështjes gjermane

Për herë të parë që nga 1989, Gjermania ka diçka për t’u kërkuar aleatëve europianë. Atëherë Helmut Kohl kërkonte ribashkimin dhe pranoi euron.

Sot Gjermania kërkon “ushtrinë më të fuqishme në Europë”. Nëse nuk krijohen projekte të përbashkëta europiane për mbrojtjen, efekti zinxhir i agresionit rus, Amerikës së Trump-it dhe darvinizmit të ri global mund të çojë në rikthimin e çështjes gjermane në Europë.

Comments