Anketë e IPP “Arbën Xhaferi” – Për kë do të votojnë shqiptarët?

135

Një sondazh i ri i Institutit për Politika Publike Arbën Xhaferi ka matur opinionin publik shqiptar në Maqedoninë e Veriut në tema relevante politike.

Ky sondazh, sipas IPP Arbën Xhaferi, shikon në mënyrë specifike perceptimet e shqiptarëve për luftën në Ukrainë dhe implikimet e saj mbi aleancat strategjike të Maqedonisë së Veriut, kapacitetin e qeverisë për të arritur progres në anëtarësimin në BE, si dhe mbështetjen për ndryshimet kushtetuese dhe statusin kushtetues të gjuhës shqipe. Përveç kësaj, sondazhi mat qëndrimet e shqiptarëve ndaj liderëve politikë dhe mbështetjen ndaj partive politike, duke përfshirë edhe fraksionet brenda tyre, përcjell KlanM.

Shumica dërmuese e shqiptarëve e identifikojnë Rusinë si fajtore kryesore e konfliktit në Ukrainë dhe e mbështesin këtë të fundit në këtë luftë. Shqiptarët në Maqedoniëe Veriut, sipas anketës së IPP Arbën Xhaferi, shohin BE-në dhe SHBA-në si partnerë strategjikë të vendit, duke mos lënë anash edhe Turqinë, përcjell Klan M.

“Shumica e shqiptarëve (55.3%) përkrahin amendamentet kushtetuese si kusht për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, me vetëm 29.8% prej tyre që besojnë se Maqedonia e Veriut nuk duhet të ndryshojë Kushtetutën e saj. Sa i përket gjuhëve zyrtare të Maqedonisë së Veriut, shumica dërmuese e shqiptarëve (89.1%) besojnë se ndryshimet kushtetuese duhet të çojnë në një status të avancuar për gjuhën shqipe, e cila duhet të përkufizohet si gjuhë bashkëzyrtare, në të njëjtin nivel me maqedonishten. Vetëm 6.4% e të anketuarve besojnë se duhet të ruhet përkufizimi aktual, sipas të cilit gjuha shqipe definohet si gjuhë zyrtare e folur nga së paku 20% e popullsisë”, thiuhet në Raportin e Institutit Arbën Xhaferi.

Në anketë është matur edhe besueshmëria ndaj politikanëve dhe partive politike.

“Kur bëhet fjalë për opinionin publik për liderët partiakë, Ali Ahmeti (BDI) është më i popullarizuari, me besueshmëri neto prej zero (neutrale) dhe 49.7% të opinioneve pozitive. Arben Taravari (ASh) qëndron afër si i dyti, me besueshmëri neto prej -9.4 dhe 45% të opinioneve pozitive. Pas tensioneve të brendshme në BDI, Izet Mexhiti, lideri i fraksionit brenda BDI-së i njohur si “Grupi i Zjarrit” është lideri i tretë partiak më i popullarizuar me besueshmëri neto prej -28.8% dhe 35.3% të opinioneve pozitive. Bilall Kasami (Lëvizja Besa) renditet i katërti, me besueshmëri neto prej -43% dhe 28.2% të opinioneve pozitive. Lideri partiak me përkrahjen më të vogël popullore është Afrim Gashi (Alternativa), me besueshmëri neto prej -74.6% dhe vetëm 12.4% të opinioneve pozitive”, thuhet në raportin e anketës.

BDI vazhdon të jetë partia me më shumë përkrahës shqiptarë në Maqedoni, sipas anketës së Institutit Arbën Xhaferi, ndërsa pas saj radhiten ASH, Besa dhe Alternativa. Për BDI-në janë deklaruar 30.8% e të anketuarve, për ASH-në 14.9%, për Besën 9.6%, ndërsa për Alternativën 2%.

Por ajo që bie në sy nga rezultatet e anketës, është përkrahja e anëtarëve të BDI-së për “Grupin e zjarrit”, ndërsa befasuese duken edhe kalkulimet, bazuar në anketë, në rast të ndonjë koalicioni zgjedhor mes këtij grupi me Lëvizjen Besa dhe Alternativën, përcjell Klan Macedonia

“Interesante është se në mesin e atyre që kanë thënë se do të votonin për BDI-në, një e treta prej tyre (31.7%) do të zgjidhnin të votonin për “Grupin e Zjarrit” në rast se ky fraksion do të kandidonte si i pavarur nga BDI-ja. Kjo do të ndikonte seriozisht në skenën politike shqiptare, duke ulur përqindjen e votave të BDI-së në 19.5%, ndërsa “Grupi i Zjarrit” do të renditej si forca e katërt politike me 9.3%”, thuhet në raport.

Në anketë kanë marrë pjesë 1000 qytetarë mbi 18 vjeç. Anketa është realizuar ërmes telefonit nga data 15 deri 21 Mars të këtij viti./KlanMacedonia

    

Comments