Anulohet seanca gjyqësore ndaj Bogoeskit, i paditur nga Ahmeti dhe Xhaferi për shpifje



Gjykata anuloi seancat e dy lëndëve, ku lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, dhe bashkëpartiaku i tij, Musa Xhaferi, padisin për shpifje ish shefin e DSK-së, Sllobodan Bogoeskin.
Gjatë dëshmisë së tij në Nju Jork, Bogoevski për rastin “Maxhar Telekom” ka theksuar se 7.5 milion euro kanë hyrë në Maqedoni përmes një veture zyrtare, si mito për tre politikanë, duke apostrofuar kështu ish kryeministrin, Vllado Buçkovski, liderin e BDI-së, Ali Ahmetin, dhe ish zëvendëskryeministrin, Musa Xhaferin.
Pikërisht për këtë deklaratë, Ali Ahmeti kërkon dëmshpërblim prej 3 milion denarësh, ndërkaq Musa Xhaferi 2.5 milion denarë. Paditësit nuk u paraqitën në gjykatë.
Ndërsa avokati i të paditurit, Valentin Zafirov, tha se këto padi janë ngritur në interes të fushatës aktuale politike për zgjedhje.
“Nëse do të donin që në kohë të fillonte procedura, edhe padia do të duhej të bëhej në kohë dhe lënda do të kryhej. Paditësit në njërën lëndë kërkojnë 3 milion denarë dhe në të dytën 2.5 milion denarë. Kjo është për shkak se bëhet një procedurë tjetër në Gjykatën e ShBA-së dhe tentojnë që me anë të padive ta amortizojnë”,- tha avokati, Valentin Zafirov.
Sipas dëshmisë së Bogoevskit, Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferi kanë marrë ryshfet prej 2.5 milionë eurosh.
Bogoeski ka paralajmëruar se do të ngrisë padi kundër atyre që e kanë paditur atë.
“Vetë padia për shpifje në deklaratat gjatë procedurës gjyqësore nuk është e lejuar. Këtë të gjithë e dinë, madje edhe avokatët e tyre. Sipas legjislacionit, në Maqedoni dhe ShBA kjo është e dënueshme dhe vlerësohet si presion ndaj dëshmitarëve”,- tha Sllobodan Bogoeski.
Komisioni amerikan i Letrave me Vlerë, thotë se drejtorët ekzekutiv të “Maxhar Telekomit”, me marrëveshje të falsifikuara, i kanë korruptuar funksionarët në vitet 2005 dhe 2006.