Apeli në Hagë ia ul dënimin Pjetër Shalës nga 18 në 13 vjet burgim
Paneli i Gjykatës së Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ia ka ulur për 5 vjet dënimin me burgim ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala.
Apeli gjeti shkelje në aktgjykimin e Themelores, që e kishte dënuar Shalën me 18 vjet burgim për krime lufte, të kryera në vitin 1999.
Gjykata e Apelit në Hagë megjithatë i rrëzoi shumicën e pikave të ankesës së Shalës.
Shala ishte dënuar para një viti me 18 vjet burgim nga Themelorja e Hagës, për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme në Fabrikën e Metalit në Kukës të Shqipërisë.
Pjetër Shala, sipas aktgjykimit, ka marrë pjesë me të tjerë në ndalimin dhe keqtrajtimin e të dyshuarve për bashkëpunim me Serbinë dhe të atyre që nuk merrnin pjesë në luftime.
Ai është urdhëruar të paguajë edhe 208 mijë euro kompensim për tetë viktima.
Ish-komandanti i UÇK-së është shpallur i pafajshëm për veprën penale të trajtimit çnjerëzor.