Ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, i cili është në paraburgim shtëpiak, avokati shtetëror për Qytetin e Shkupit, rreth 5 të punësuar në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, noterë, të punësuar në Kadastër dhe një biznesmen, i cili është dashur t’i punojë shkallët spanjolle, sot janë arrestuar nga MPB, me urdhër të Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, njofton Portalb.mk.
Sipas Prokurorisë, bëhet fjalë për vepër penale “Keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar dhe për “Punë jo të përgjegjshme në shërbim”, ndërkaq nëpër mediat maqedonase shkruhet se bëhet fjalë për vend shtetëror, të cilën Ministria e Transportit dhe Lidhjeve ua ka dhënë personave të cilët nuk i plotësojnë kushtet, ndërkaq janë nënshkruar edhe anekse në marrje, pa i plotësuar kushtet.
“Prokuroria Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve kanë ndërmarrë veprime për sigurimin e personave të dyshuar në disa lokacione në Shkup. Pas procedurës parahetimore që ka zgjatur disa muaj, sot me udhëzime të prokurorit publik nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion po ndërmerren masa për sigurimin e personave të dyshuar në disa lokacione në Shkup. Në mesin e të dyshuarve ka ish funksionarë, zyrtarë administrativ dhe persona që kryejnë punë të interesit publik”, janë informatat e para të Prokurorisë.
Komuna Qendër ka miratuar vendim që të ndërtohet shkallët spanjolle në Sheshin Maqedonia në vitin 2015-të, ndërkaq kryetari aktual, Sasha Bogdanoviq e ka shfuqizuar miratimin për ndërtim në shkurt të vitit 2018-të, pasi që investitori në afat prej dy vjetëve pas vendimit të plotfuqishëm, aq sa shkruan në Ligjin për ndërtim, nuk ka filluar me ndërtimin e objektit.