Arrestohet edhe një person për vrasjen e trefishtë në Gllogjan
Edhe një person është arrestuar lidhur me rastin e rëndë të vrasjes së trefishtë në Gllogjan.
Personi në fjalë është arrestuar nga Policia gjatë ditës së djeshme dhe kjo është njoftuar me anë të raportit 24-orësh, shkruan lajmi.net.
“Fsh. Gllogjan, Deçan (NN) 26.11.2021 – 18:58. Lidhur me rastin, me 04.02.2022 është arrestuar edhe një i dyshuar mashkull kosovar dhe i njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.
Kujtojmë se më 26 nëntor të vitit të kaluar, një person i maskuar kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të një autobusi i cili brenda tij kishte nxënës që po transportoheshin.
Rasti kishte ndodhur në Gllogjan, ku për pasojë e të shtënave kishin vdekur dy nxënës dhe shoferi i autobusit.
Deri tash janë arrestuar disa persona.
Motivet e rastit ende mbesin të paqarta. /Lajmi.net/