Arrin GPT-4o: Ç’mund të bëjë modeli i ri i inteligjencës artificiale?

1,124

OpenAI ka prezantuar një version të ri – me kapacitet më të lartë dhe me më shumë aftësi si të njeriut – të teknologjisë së inteligjencës artificiale (IA) që e fuqizon mjetin e tij të popullarizuar gjenerativ, ChatGPT, i cili do të mund të përdoret pa pagesë.

Përditësimi i produktit kryesor të OpenAI-së u paralajmërua një ditë para prezantimit që Google pritet të bëjë rreth të rejave për Gemini-n, mjetin e IA-së të gjigantit prapa motorit të kërkimit më të popullarizuar në botë, i cili rivalizon drejtpërdrejt me ChatGPT-në.

“Jemi shumë, shumë të lumtur që po sjellim GPT-4o për të gjithë përdoruesit tanë pa pagesë”, tha më 13 maj shefja për teknologji e kompanisë nga Kalifornia, Mira Murati, në një prezantim të organizuar në San Francisko.

Modeli i ri, GPT-4o (shkronja o është shkurtesë për “omni”), do të inkuadrohet në produktet e OpenAI-së gjatë javëve të ardhshme, bëri të ditur kompania, teksa konsumatorët që paguajnë do të kenë qasje të pakufizuar në mjetin gjenerativ.

OpenAI ka thënë se modeli i ri mund të gjenerojë përmbajtje apo të kuptojë komanda me zë, me tekst apo me imazhe.

“Opsioni i ri me zë (dhe me video) është ndërfaqja më e mirë kompjuterike me të cilën kam punuar. Ngjason me IA-në nga filmat”, tha kryeshefi i OpenAI-së, Sam Altman, nëpërmjet një shkrimi.

Altman më herët i është referuar personazhit që luan aktorja amerikane, Scarlett Johansson, në filmin “Her”, si frymëzim për nivelin e ndërveprimit që ai do të donte ta arrinte IA-ja.

Video: Demonstrimi i bashkëbisedimit mes njeriut dhe GPT-4o:

“Të flasësh me një kompjuter kurrë s’më është dukur aq e natyrshme; tani po”, shtoi ai.

Murati dhe inxhinierët e OpenAI-së demonstruan kapacitetet e reja të GPT4-o gjatë prezantimit të modelit të ri, duke e sfiduar versionin e avancuar të robotit bisedues, ChatGPT.

Demonstrimi përfshiu kryesisht pjesëtarë të stafit të OpenAI-së duke i bërë pyetje versionit më zë të ChatGPT-së, i cili u përgjigj me sarkazëm dhe tregoi barcoleta.

Roboti shërbeu edhe si përkthyes nga anglishtja në italishte dhe anasjelltas, interpretoi mimika dhe e ndihmoi një përdorues të zgjidhte një problemë të vështirë matematikore.

Video: Demonstrimi i përkthimit në kohë reale nga GPT-4o:

Kompania tha se GPT-4o ka të njëjtat aftësi si versioni i mëparshëm kur bëhet fjalë për tekstin, arsyetimin dhe kodimin, ndërsa vë standarde të reja industriale për biseda shumëgjuhëshe, dëgjim dhe shikim.

Në një demonstrim, ChatGPT me sukses interpretoi ambientin e një punonjësi përmes kamerës së telefonit të mençur, duke folur me një zë miqësor e femëror, sikur roboti me IA në filmin “Her”.

“Hëm, nga ajo që mund të shoh, duket se je në një studio incizimi apo produksioni, me drita, trekëmbësh… mos je duke u bërë gati të xhirosh një video apo të bësh një njoftim?”, tha roboti ChatGPT.

Video: Demonstrimi i kapaciteteve pamore të GPT-40:

Gara e muskujve për IA-në

Javëve të fundit është pritur që OpenAI do ta prezantonte një version të avancuar me IA të një mjeti kërkimi online, që do të konkurronte me motorin e kërkimit të Google-it, por ditë më parë Altman paralajmëroi se kjo nuk do të ndodhte.

Është pritur edhe prezantimi i GPT-5, por Altman tha javën e kaluar se kompania “nuk do të ngutej” me prezantimin e modeleve të reja të mëdha.

Prezantimi i bërë të hënën është episodi i fundit në garën e muskujve për IA-në, ku mbështetësi i OpenAI-së, Microsoft, ka lënë prapa Apple-in si kompania më e madhe në botë për nga vlera në treg.

OpenAI dhe Microsoft janë në një rivalitet të nxehtë me Google-in për t’u bërë lojtari kryesor në fushën e IA-së gjenerative, por pronarja e Facebook-ut, Meta, dhe kompania Anthropic gjithashtu po bëjnë hapa të mëdhenj për të garuar me to.

Të gjitha kompanitë po nxitojnë për të gjetur mënyra për të mbuluar kostot jashtëzakonisht të larta të IA-së gjenerative, teksa paratë po i inkason kryesisht gjiganti i prodhimit të çipave, Nvidia, falë gjysmëpërçuesve të tij të fuqishëm.

Ofrimi i modelit të ri për të gjithë përdoruesit mund të ngjallë pikëpyetje për rrugën e OpenAI-së drejt përfitimit financiar, mes dyshimeve nëse përdoruesit e zakonshëm janë të gatshëm të paguajnë për abonim.

Deri më tani, vetëm versionet me kapacitete më të vogla të robotëve të OpenAI-së apo të Google-it u janë ofruar pa pagesë të gjithë përdoruesve.

“Ne jemi biznes dhe do të gjejmë mjaft gjëra të cilat do t’i ofrojmë kundrejt një pagese”, tha Altman, në shkrimin e tij.

Krijuesit e mjeteve me IA po e ndiejnë, po ashtu, trysninë e publikuesve dhe krijuesve, të cilët po kërkojnë të paguhen për përmbajtjen që përdoret për t’i trajnuar modelet.

OpenAI ka nënshkruar marrëveshje për shfrytëzim të përmbajtjes me agjencinë e lajmeve Associated Press, me gazetën Financial Times, dhe me botuesin Axel Springer, por po përballet edhe me probleme ligjore pas një padie të madhe nga e përditshmja New York Times.

Kompanitë e IA-së, po ashtu, janë ballafaquar me padi të ndryshme nga artistë, muzikantë dhe autorë në gjykatat amerikane./REL

Comments