Artan Grubi Kthehet të përballet me akuzat që i përshkruhen!

166

Kthimi i Artan Grubit përbën një veprim të drejtë dhe pozitiv, që duhet të shihet si hap drejt përballjes me drejtësinë dhe jo si spektakël politik.

Nëse në të kaluarën mundi të arratisej edhe një kryeministër, lind pyetja pse të mos mundte edhe një zëvendëskryeministër. Megjithatë, fakti që ai u kthye vullnetarisht krijon një moment të ri që institucionet duhet ta trajtojnë me seriozitet, profesionalizëm dhe pa paragjykime.

Për këtë kthim do të flitet shumë në ditët në vijim, ndërsa pritet që Prokuroria Publike të sqarojë motivet dhe rrethanat e këtij veprimi. Çdo proces duhet të zhvillohet në mënyrë të qetë, ligjore dhe transparente, pa “eufori” institucionale dhe pa procedura spektakolare që zakonisht shoqërojnë raste politikisht atraktive.

Qytetarët kanë të drejtë të dinë të vërtetën dhe të shohin drejtësi që funksionon njësoj për të gjithë. Për një kohë të gjatë kemi qenë dëshmitarë të paralajmërimeve të bujshme dhe spektakleve mediatike, por shumë më rrallë të përfundimeve gjyqësore përfundimtare.

Pikërisht përvojat nga e kaluara, përfshirë raste si ai i Miallkovit dhe të tjerë, kanë krijuar perceptimin se proceset shpesh zvarriten ose mbeten pa epilog të qartë juridik. Kjo ka nxitur dyshime për selektivitet dhe ka dëmtuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.

Prandaj, ky rast duhet të jetë një mundësi për institucionet që të dëshmojnë se ligji zbatohet në mënyrë të barabartë, pa dallim dhe pa ndikime politike. Vetëm një epilog i drejtë, i shpejtë dhe i bazuar në ligj mund ta rikthejë besimin e qytetarëve në drejtësi dhe në funksionimin e shtetit ligjor.

Comments