Artistët e teatrit kombëtar me peticion, kërkojnë kthimin e drejtorit Ilir Kemi
Pak ditë pas dorëheqjes së drejtorit të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor në Tiranë, Ilir Kemi, është kërkuar kthimi në punë i këtij të fundit.
Edhe pse shumica e artistëve dhe punonjësve të Teatrit ishin nisur tashmë për pushime, pas një sezoni artistik të ngarkuar, ata janë kthyer sot sërish në ambientet e TKOBAP për të shprehur mbështetjen ndaj drejtorit të këtij institucioni, pas lajmit se ai ka paraqitur dorëheqjen nga ky pozicion.
Drejtori Kemi ka dhënë dorëheqje për motive të cilat thuhet të jenë personale por mësohet se realisht dorëheqja e tij ka qenë e detyruar.
Në një status në ‘Facebook’ ai ka shkruar për problemet me të cilat është përballur, nisur nga buxheti i ulët, shkruan zeri.info
Artistët kanë firmosur një peticion drejtuar kryeministrit, Edi Rama për të mos pranuar dorëheqjen e drejtorit te tyre te cilin e kane cilësuar si një njeri te pastër, me parime dhe qe ka arritur te mbaje larg prej TKOBAP deri tani pandershmërinë, mediokritetin, nepotizmin dhe klientelizmat.
Duke kërkuar rikthimin e tij serish në detyrë, artistët e kanë vlerësuar për kontributin e vyer dhe për shembullin e pakrahasueshëm motivues./ZËRI