Kultivimi i kulturës në një vend mbrohet dhe zgjerohet përmes artistëve dhe për këtë arsye ata luajnë rol të veçantë në shtet-ndërtimin e një vendi. Por në Kosovë statusi i artistit është ende nuk dihet.
Kryetari i Sindikatës së Shoqatës së Pavarur të Punëtorëve të Ansamblit “Shota”, Besnik Grajçevci, ka thënë për KosovaPress, se javën e kaluar ka mbajtur një takim me ministrin e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, me të cilin kanë biseduar në lidhje me statusin e artistit, duke i kërkuar që të njihen të drejtat e tyre dhe të krijohen kushte më të mira.
Sipas, Grajçevcit takimi ka rezultuar i suksesshëm, pasi që ministri Shala ka premtuar që do të punojë në këtë drejtim.
Artistët punojnë dhe veprojnë në bazë të rregullores 05/12 të nxjerrë nga ish-kryeministri, Hashim Thaçi.
“Momentalisht statusi i artistëve nuk është i definuar në mënyrë përfundimtare, veprojmë dhe punojmë në bazë të rregullores 05 /12 të nxjerrë nga ish-kryeministri i atëhershëm, zotëri Hashim Thaçi, ku është përcaktuar rregullore për gradimin dhe pagat e përformuesve të artit dhe të kulturës” tha Grajçevci.
Ai gjithashtu theksoi se rregullimi i këtij statusi është i nevojshëm, pasi që edhe pse kanë kaluar 16 vite që nga pas lufta, kjo kategori nuk trajtohen mënyrë të mirëfilltë.
“Është shumë e nevojshme të rregullohet kjo çështje për arsye se komuniteti artistik që nga pas lufta, bëhen 16 vite dhe ende nuk e kanë trajtimin e mirëfilltë dhe të dinjitetshëm si i takon kësaj kategorie. Mendoj që duhet një përkushtim i veçantë në nivel institucional duke u nisur nga Ministria e Kulturës, që jemi varës të këtij institucioni në kryeministri dhe deri te niveli qendror i shtetit, që të trajtohet kjo çështje me shumë seriozitet dhe që artistët më në fund të njihen të privilegjuar, të njihen po ata artistë që duhen të kenë statusin e vet në të gjitha aspektet, si në trajtim të dinjitetshëm, si në pagat e përfitimet e tyre që i kanë, ku duhet ta kenë parasysh se kategoria e komunitetit artistik është kategori e veçantë dhe duhet të trajtohet në nivel universitar, për arsye se çdo artist që del në skenë dhe kanë një kontribut 15 vite dhe më shumë, llogaritët si një profesor ose si një personalitet i diplomuar në fushën e caktuar”, tha Grajçevci, për kp.
Grajçevci shtoi se rregullorja e nxjerr prej ish-kryeministrit Thaçi ka qenë një diskriminim dhe degradim për komunitetin artistik.
“Në takimin e zhvilluar me Ministrin e Kulturës është bërë një pritje e mirë dhe është tregu një interesim i veçantë i ministrit për t`i trajtuar këto probleme dhe për t`i marr me prioritet, për arsye se është momenti dhe koha që duhet të rregullohen. Në momentin që është marr vendimi i nxjerrjes së rregullore 05/ 12nga ish-kryeministri i atëhershme, Hashim Thaçi dhe ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, ka qenë vetëm një fazë kalimtare për arsye se deri në atë kohë kemi punuar me kontrata mbi vepër punës. Ka qenë një diskriminim një degradim i komunitetit artistik dhe me një garant që brenda një periudhe të shkurtë do të rregullohet statusi i final dhe të rregullohen të gjitha benifitet të cilat i takojnë këtij komuniteti”, tha Grajçevci.
Si kërkesa kryesore që i janë drejtuar Ministrisë së Kulturës janë rregullimi i sigurimit shëndetësor dhe ngritja koeficiente e pagave.
“Pyetjet që i kemi dërguar kabinetit të ministri të kulturës, zotëri Kujtim Shala, kanë qenë pikat më të rëndësishme të cilat ne i kemi veçuar dhe janë kryesisht rregullimi i statusit të komunitetit artistik, si për ansamblin “Shota”, edhe të gjitha institucioneve të tjera në nivel shteti, nën ombrellën e ministrisë së kulturës. Rregullimi i karakterizimit të pagave dhe ngritja e koeficientit të pagave në nivel të dinjitetshëm, që duhet të jetë në nivel universitar, të rregullohet sigurimi shëndetësor i cili është shumë i nevojshëm për komunitetin artistik, siç janë balerinët dhe kërcimtaret që janë në Ansamblin “Shota” dhe në trupën e baletit” tha Grajçevci.
Gjithashtu, është kërkuar që të rregullohet provoja e punës për punëtorë të cilët kanë punuar dhe kanë kontribuar për mbrojtjen e traditës që nga viti 1990.