“Avdullah a je në punë sot?” Plas rrjeti me tallje ndaj qeverisë Hoti

412
fresco

Gjykata Kushtetuese mori vendim mbrëmë pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje rreth vlefshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, me çka edhe zyrtarisht vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme.

Vota e deputetit Etem Arifi ishte vendimtare për zgjedhjen e Qeverisë Hoti më 3 qershor.

Nga Gjykata Kushtetuese u konstatua, se në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitoj mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Me të publikuar informacioni se vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve brenda një periudhe 40 ditore, të gjithë qytetarët thuajse u inkuadruan në rrjetet sociale për të filluar me ‘shakatë’ që lidhen me situatën politike institucionale.

Shumë prej tyre lidheshin me informacionin për rrëzimin e Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti dhe faktin se ai s’do të jetë më kryeministër i vendit.

Nuk u lanë pa u përmendur as Agim Veliu, si ministër i Brendshëm dhe deklarata e tij e famshme “Shenjë s’ma ka lënë”, e as problemi që iu shfaqë Nismës Socialdemokrate për kalimin e pragut në zgjedhjet e kaluara, transmeton lajmi.net.

Padyshim nuk mbetën pa u ngacmuar me humor as ish-krerët institucional dhe ata të huaj të cilët në disa raste u morën nga afër me çështjet shumë të ndjeshme të shtetit të Kosovës.

Se çfarë do të ndodhë në vend me situatën politiko-institucionale, mbetet të shihet pas vendimit për zgjedhjet dhe paraqitjes së emrave të cilët do t’i kemi në listat e votimeve./Lajmi.net/

Comments