Avokati i popullit: Më së shumti ankesa nga brutaliteti policorë



Shkelja e privatësisë së qytetarëve, prezumimi i pafajësisë së personave të akuzuar në proceset gjyqësore, mjekimi joadekuat i të burgosurve, rreziku social dhe brutaliteti policor janë ndër shkeljet më të shpeshta të të drejtave të qytetarëve. Avokati i popullit, Ixhet Memeti, thotë se numri më i madh i ankesave për këtë vit është për brutalitetit policor.
“Sigurisht që gjendjet që ne i konstatojmë në terren tregojnë se numri i ankesave është në rritje dhe numri i ankesave më të shumta kanë të bëjnë me brutalitetit policor. Deri tani ne kemi ngritur diku mbi 8 kallëzime penale kundër policëve dhe gardianëve të burgjeve, por për fat të keq asnjë prej tyre nuk është realizuar, nuk është efektuar”,- deklaroi avokati i popullit, Ixhet Memeti.
Edhe nga Instituti për të drejtat e njeriut thonë se thuajse është mision i pamundur të fitohen procedurat gjyqësore për shkeljet e të drejtave të qytetarëve.
“Është i nevojshëm angazhim më efektiv dhe më profesional i organeve shtetërore, në veçanti i policisë dhe gjyqësorit, të cilat në të kaluarën me intervenimin e tyre kanë shkelur të drejtat e qytetarëve. Nuk ka dyshim se vetëm kështu mund të përmirësojmë gjendjen aktuale”,- tha Margarita Caca-Nikolovska nga Instituti për të drejtat e njeriut.
Avokati i popullit në forumin kushtuar Ditës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut vlerësoi se gjatë dy viteve të fundit ka rënë besimi i qytetarëve tek institucionet e vendit.