Qendra Klinike Universitare e Kosovës është mbushur me pjestarë të Policisë së Kosovës. Arsyeja qëndron se në njësinë “Koronare” gjendet ish-deputeti i Kuvendit, Azem Syla, i cili, sipas mbrojtësve të tij, është duke bërë disa analiza për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore.
Avokati mbrojtës, Tomë Gashi ka konfirmuar për “Indeksonline” se shtrirja e Sylës në QKUK nuk lidhet me rastin e hapur ndaj tij në Gjykatë.
“Z. Azem Syla ka qenë në QKUK i shtrirë për shkak të analizave që është duke i bërë për shkak të gjendje së tij shëndetësore dhe ato i ka bërë edhe sa ka qenë në liri. Nuk ka të bëjë asgjë me caktimin e paraburgimit, thjesht kur Gjykata e Apelit ja ka caktu paraburgimin ndaj tij, ditën e djeshme, në orët e pasdites, ai ka qenë aty dhe vetëm i është dorëzu aktvendimin i Apelit dhe ai e ka respektuar”, thotë ai.
Më tej, Gashi tregon se gardianët e burgut kanë qenë ata të cilët e kanë shoqëruar Sylën për në njësinë “Koronare”. Megjithatë, avokati thotë se gjendja e ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosvoës nuk është e keqësuar.
“Gardianët të cilët merren me punë rutinore, për ata të cilët janë të paraburgosur dhe kanë nevoja të caktuara shëndetësore deri sa janë në QKUK. Gjendja e tij nuk është aq e rënduar dhe ai në seancën e ardhshme, 28 shtator do të vijë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ku edhe për dy seanca është caktu hetuesi e veçantë, gjë që me 29 shtator përfundon krejtësisht”, është shprehur ai.
Ndërkaq, Indeksonline ka provuar të kontaktojë me QKUK-në për të pyetur për gjendjen e Sylës, mirëpo, të njëjtit nuk janë lajmëruar. /Indeksonline/