“Babadimri” në detyrë: Kurti ndan miliona në prag zgjedhjesh, opozita e akuzon për mashtrime
Qeveria në detyrë e udhëhequr nga Albin Kurti ka miratuar sot Projektligjin për ndarjen buxhetore për vitin fiskal 2026, me një vlerë totale prej 4 miliardë eurosh, që paraqet një rritje prej rreth 10% krahasuar me vitin paraprak.
Kurti tha se ky buxhet siguron qëndrueshmërinë e shtetit dhe zhvillimin ekonomik, ndërsa kërkoi që Kuvendi ta votojë para zgjedhjeve të reja për të garantuar vazhdimësinë institucionale.
Në buxhetin e ri janë përfshirë edhe disa masa sociale dhe ekonomike, si:
-Paga e 13-të për punonjësit e sektorit publik;
-Rritja e pagës minimale në sektorin privat në 425 euro nga janari 2026 dhe 500 euro nga korriku 2026;
-Rritje e pensioneve minimale nga 120 në 150 euro, duke filluar nga nesër, dhe
-Rritje prej 50% e shtesave për fëmijët nga muaji nëntor.
Ish-opozita e bën “për pesë pare” Qeverinë në detyrë
Vendimet e Qeverisë në detyrë, për ish-partitë opozitare, PDK, LDK e AAK, janë tentativë për blerje votash në prag të rundit të dytë të zgjedhjeve lokale, por edhe të atyre nacionale që gjasat janë shumë të mëdha se do të mbahen shumë shpejt.
Memli Krasniqi, vendimet e sotme të qeverisë në detyre, i quajti “thes të mashtrimeve të një ‘babadimri’ që kurrë s’erdhi për qytetarët e Kosovës”.
“Krejt ato që sot u thanë në mbledhjen e fundit të kësaj qeverie, e që s’u bënë pesë vjet me radhë, do të bëhen: më mirë, më shumë e më shpejt, por me qeverinë e ardhshme, pa Albin Kurtin e pa Vetëvendosjen. Mashtrimi elektoral nuk kalon. Uji i turbullt s’pihet dy herë!”, deklaroi i pari i PDK-së.
E ashpër në reagim ishte edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila përmes një komunikate për media, tha se “çdo tentim për të përdorur buxhetin e shtetit si instrument elektoral është i papranueshëm”.
“Asnjë euro e buxhetit nuk mund të shndërrohet në mjet për blerje votash, asnjë plan financiar nuk mund të shërbejë si mburojë për dështimet qeveritare dhe asnjë vendim i marrë në këtë fazë nuk mund të ketë legjitimitet demokratik”.
“Këto veprime të Qeverisë në ikje përbëjnë abuzim me pushtetin, shkelje të etikës institucionale dhe instrumentalizim të institucioneve të shtetit për qëllime elektorale, duke cenuar rëndë besimin e qytetarëve në procesin demokratik dhe integritetin e zgjedhjeve”, kanë deklaruar nga LDK-ja.
Derisa për kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, veprimet e organit qeverisës në detyrë janë për “marre”.
“Shumë vonë, shumë pak. Marre! Kjo rritje është dashur të ndodhë para shumë vitesh. Në takimin e parë të qeverisë sonë, pensioni bazik do të jetë 200 euro, ndërsa paga minimale do të jetë 600 euro. Shtesat për të gjithë fëmijët nga 0–16 vjeç do të kenë rritje të konsiderueshme. Nënat me dy fëmijë do të marrin 100 euro, ndërsa nënat me katër fëmijë do të marrin 300 euro në muaj”, tha Haradinaj.
Shoqëria civile, kundër vendimeve “elektorale”
Njohësi i politikave, Shenoll Muharremi, ka thënë se premtimi i Kurtit për pagën e 13-të u bë me qëllim që të përfitohet në vota.
Madje, ai thotë se ky veprim do të ketë pasoja për bizneset e do ta rrisë inflacionin.
“Paga e 13-të… se po na duhen ma shumë vota nga sektori publik. S’ka lidhje që i rëndojmë bizneset edhe ma shumë, i rrisim çmimet e inflacionin edhe më shumë. E importet, deficiti e migrimi që rriten ende, s’na intereson. Le të zbrazet Kosova krejt, vetëm pushtetin te ruajmë. Qato vota po i dojmë, se s’kemi sa duhet për pushtet absolut”, tha ai.
Muharremi kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje, duke e cilësuar të njëjtën si parti që e rrezikon ekonominë dhe shtetin për vota.
“Një parti që e rrezikon seriozisht ekonominë dhe shtetin për vota e pushtet absolut nuk mundet me pas të ardhme të mirë”, deklaroi Shenoll Muharremi.
Ndërkaq, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, e ka quajtur procesin e miratimit të projektbuxhetit shkelje të qartë ligjore dhe pjesë të një “loje politike të menduar mirë”.
Ai thotë se vendi po përballet me një situatë paradoksale, ku buxheti po i propozohet Kuvendit nga një Kryeministër në detyrë që para pak ditësh u refuzua të marrë mandatin për formimin e Qeverisë së re.
“Me votimin e buxhetit nga Qeveria në detyrë dhe procedimin e tij në Kuvend, po merr formë një shkelje ligjore që duket si pjesë e një loje politike të menduar mirë”, deklaroi Canolli.
Ai përmendi edhe faktin që projektbuxheti “është përgatitur nga ish-ministri i Financave”, Hekuran Murati të cilit, siç theksoi, “Gjykata Supreme i kishte anuluar më herët një udhëzim administrativ për shkak të papajtueshmërisë së mandatit, e që tani vazhdon të veprojë njësoj edhe me ligjin më të rëndësishëm të vitit”.
Kritik ndaj vendimit të qeverisë në detyrë ishte edhe opinionisti Avni Arifi.
Ai tha se nuk beson që “ka pasur ndonjëherë, e as që do të ketë ndonjëherë, Qeveri në Kosovë që e keqpërdorë krejt buxhetin e shtetit për t’i fituar zgjedhjet”.
“Kjo nuk është qeverisje por kjo është blerje masive e votës dhe shndërrim i shtetit të Kosovës në një ‘tallava-shtet’ me mendësi tallava”, deklaroi Arifi.
Nuk është e qartë nëse ky projektligj për buxhetin 2026 do të mund të shqyrtohet dhe hidhet në votim në Kuvendin e ri të Kosovës.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë të hënën, eksperti i financave, Haki Shatri, tha se vetëm një qeveri me kompetenca të plota mund të ndërmarrë nisma për ndryshimin e ligjit për buxhetin, apo për vazhdimin e ndarjeve buxhetore edhe për muajt e parë të 2026-tës.
“Nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje që të funksionalizohet një e dymbëdhjeta e buxhetit në janar, edhe tërmet të ketë, nuk guxon askush të ndërmarrë asgjë”, tha ai.
Edhe Albert Krasniqi nga organizata Demokraci Plus tha se Qeveria në detyrë – e zgjedhur nga legjislatura paraprake – nuk mund të propozojë projektligjin për buxhetin vjetor për legjislaturën e re.
I të njëjtit mendim ishte edhe Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, i cili theksoi se Qeveria në detyrë nuk ka të drejtë të propozojë buxhetin, e as Kuvendi nuk ka të drejtë ta votojë propozimin e buxhetit të kësaj Qeverie në detyrë. /Klankosova.tv

