“Badenteri në shënjestër” – Nacionalizmi si mjet elektoral në Maqedoninë e Veriut

284
fresco

Me afrimin e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, skena politike e vendit po shënon një rritje të ndjeshme të toneve nacionaliste, të cilat po përdoren nga partitë politike si mekanizma për të mobilizuar strukturat, për të mbuluar dështimet dhe për të tërhequr sa më shumë vota. Liderët politikë, të udhëhequr nga parimi pragmatist “Qëllimi Arsyeton Mjetin”, nuk hezitojnë të prekin temat më të ndjeshme etnike, pa marrë parasysh pasojat e mundshme për kohezionin social në një shoqëri me një përbërje të larmishme etnike, kulturore dhe historike, shkruan FaktiDitor.ch

Deklarata e fundit e Ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov, për rishikimin e parimit të Badenterit, ka nxitur reagime të fuqishme në vend, veçanërisht nga faktori politik shqiptar, i cili e ka interpretuar këtë si një goditje të drejtpërdrejtë ndaj të drejtave të tyre kushtetuese dhe ndaj Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e cila është gurthemel i paqes pas konfliktit të vitit 2001. Rishfaqja e retorikës nacionaliste sa herë që afrohen zgjedhjet ngre pyetjen legjitime: A jemi duke jetuar në një déjà-vu politike të vazhdueshme në Mqedoninë e Veriut?

Çfarë është parimi i Badenterit?

Parimi i Badenterit është një nga shtyllat kushtetuese të vendosura për të garantuar barazi ndërmjet komuniteteve etnike në Maqedoninë e Veriut. I vendosur si pjesë e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit të vitit 2001, ky parim është një formë votimi e dyfishtë që kërkon jo vetëm shumicën e votave në Kuvend, por edhe shumicën e votave nga deputetët e komuniteteve joshumicë, për miratimin e ligjeve që prekin drejtpërdrejt të drejtat e tyre. Nëse të nejtit nuk e votojnë ligjin, atëherë ai nuk mund të kaloj, e gjithë kjo flet për peshën dhe rëndësinë që ka për etnitë jo shumicë në vend.

Ky mekanizëm mbrojtës është i mishëruar në amendamentet kushtetuese X dhe XII dhe zbatohet për fusha të ndjeshme si: përdorimi i gjuhëve, kultura, arsimi, dokumentet personale dhe simbolet kombëtare. Në bazë të këtij amendamenti, në vitin 2002 u mor vendimi për formimin e Komitetit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, ndërsa në vitin 2007 u miratua Ligji për Komitetin për Marrëdhënie me Bashkësitë. Sa i përket kompetencave dhe obligimeve të tij, duhet theksuar gjithashtu edhe Amendamenti X i Kushtetutës, i cili zëvendëson nenin 69 të saj dhe përcakton procedurën e votimit, përkatësisht vendos të ashtuquajturin “rregull i Badenterit” për miratimin e ligjeve që prekin të drejtat e komuniteteve etnike. Ai synon të shmangë mbivotimin nga komuniteti shumicë dhe të garantojë një përfaqësim të drejtë dhe dinjitoz për të gjitha bashkësitë etnike në vend, shkruan FaktiDitor.ch

Parimi i Badenterit është gjithashtu i zbatueshëm në nivel lokal, në komuna ku komuniteti shqiptar përbën shumicën, si Tetova, Gostivari dhe Kërçova, për të garantuar të drejtat e komuniteteve të tjera më të vogla. Parimi i Badenterit është pjesë e rendit kushtetues dhe, si i tillë, është shumë i vështirë për t’u anuluar apo ndryshuar në atë mënyrë që do të humbaste thelbin dhe funksionin e tij.

A po rrezikohet Marrëveshja e Ohrit?

Çdo lloj tentative për të relativizuar apo minimizuar parimin e Badenterit përbën një sfidë direkte dhe serioze për stabilitetin ndëretnik në vend. Marrëveshja Kornizë e Ohrit nuk është vetëm një dokument paqeje, por një garanci kushtetuese për një bashkëjetesë të qëndrueshme dhe të barabartë për të gjithja etnitë në vend. Cënimi i mekanizmave që burojnë nga kjo marrëveshje është jo vetëm papërgjegjshmëri e madhe politike, por gjithashtu ajo është edhe potencialisht destabilizues për një vend që është anëtare e NATO-s si dhe që aspiron për një integrim sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian, shkruan FaktiDitor.ch.

Pse kjo temë hapet pikërisht tani?

Kërkesa për rishikim të parimit të Badenterit nuk është një rastësi në këtë periudhë. Përkundrazi, ai është pjesë e një cikli të njohur dhe të vazhdueshëm politik në Ballkan: rritja e retorikës nacionaliste në prag të zgjedhjeve. Nacionalizmi dhe populizmi, vazhdojnë që të përdoren si mjete për të mbuluar mungesën e rezultateve konkrete në qeverisje, e hisotria ka dësmuar se këto janë mjete të fuqishme për të mobilizuar elektoratin, shkruan FaktiDitor.ch

Maqedonia e Veriut, sikurse shumë vende të rajonit, po përballet me sfida të mëdha si korrupsioni, rritja e kostos së jetesës, emigrimi masiv i qytetarëve, mungesa e zhvillimit ekonomik dhe një krizë të thellë perspektive për të rinjtë. Në vend që të përballen me këto sfida, klasat politike zgjedhin të defokusojnë qytetarët me tema etnike, që shpeshherë shërbejnë si tymnaja për të mbuluar dështimet reale të tyre. / Fakti Ditor.info

Comments