Bajram Rexhepi: Gara për Tetovën nis nga zero, por jemi të bindur në fitoren më 2 nëntor
Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) për komunën e Tetovës, Bajram Rexhepi, në një intervistë për televizionin Alsat, ka folur për zhvillimet pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale, duke theksuar se gara për Tetovën mbetet e hapur dhe se çdo votë do të ketë peshë vendimtare në raundin e dytë.
“Ne presim vota nga të gjithë qytetarët. Nisim me rezultat 0-0, dhe askush nuk ka avantazh. Ju ishit dëshmitarë të asaj që thanë vetë krerët e VMRO-DPMNE-së ata ishin ata që siguruan këtë fitore të përkohshme dhe avantazhin e kundërkandidatit,” deklaroi Rexhepi, njofton TS.
Ai theksoi se ka pasur, sipas tij, një inxhiniering të tmerrshëm zgjedhor që ka ndodhur në Tetovë dhe në disa zona të tjera, por pavarësisht kësaj, ekipi i tij mbetet plotësisht i angazhuar për balotazhin.
“Strukturat tona janë të mobilizuara dhe në gatishmëri të plotë. Besoj se do t’ia dalim me fitore më 2 nëntor,” shtoi më tej kandidati i AKI-së për Tetovën.
Rexhepi ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në raundin e dytë të zgjedhjeve, duke apeluar që qytetarët të votojnë për ndryshimin dhe për një Tetovë të barabartë për të gjithë./TS

