Banorët e Bllacës ankohen për mungesë transporti publik, për më shumë se një vit

187

“Mbi 30 nxënës të fshatit Bllacë çdo ditë dalin këtu në qendër të fshatit për të pritur në mëshirë të fatit se a do t’i dërgoj ndonjë nga banorët tek shkollat e mesme ku ata mësojnë. Ky nuk është problemi i vetëm për nxënësit e këtij fshati por edhe për banorët të cilët janë të punësuar në qytetin e Shkupit të cilët tash e një vit sipas tyre nuk kanë transport publik”, raporton Avni Tahiri – Gazetar.

Të parin që takuam në qendër të fshatit Bllacë ishte një nxënës i vitit të dytë i cili priste udhëtarë rasti që ta dërgojnë për në shkollë.

“Egzon ti pret të shkosh në shkollë? Po. Ku mëson? Në “Arseni Jovkov”, viti i dytë jam tani. Tani ke ardhur në qendër të fshatit dhe pret. Po pres që a do të shkoje ndonjë që të shkoj sepse nuk kemi autobusë. Pastaj si do të kthehesh? Nëse shkon ndonjë mirë nëse jo atëherë shkoj ose tek daja ose tek mixha dhe flejë atje. Dhe pastaj nga atje shkon në shkollë? Po. Nuk kemi autobusë”, tha një nxënës.

Pasi Egzonin e lamë duke pritur që të gjejë mënyrën e transportit për të shkuar në shkollë, u drejtuam tek shkolla e fshatit. Mbi 10 mësimdhënës udhëtojnë çdo ditë mbi 20 kilometra me vetë organizim që të ligjërojnë në Shkollën Fillore të Bllacës.

“Ky nuk është problem vetëm për nxënësit por edhe për të punësuarit që punojnë në Shkup dhe për arsimtarët që vinë në punë duhet të udhëtojnë çdo ditë me veturë për shkak të mungesës së autobusit”, deklaroi Sevdije Shehi – mësuese.

“Ka edhe punëtorë të cilët kanë humbur vendin e punës për shkak se nuk kishin vetura të shkojnë në punë. Në rrugë të presin nuk kanë mundur që të ndalin veturat apo të shkojnë me taxi, këtu nuk ka as taxi që të shosh në punë se ka shumë shpenzime”, u shpreh Selimjet Ibrahimi – mësuese.

Agim Bardhi, Kryetar i Bashkësisë lokale të Bllacës thotë se disa herë ka kërkuar që të rikthehet autobusi publik në Bllacë por kërkesa e tij nuk është përfillur.

“Problemi me autobusin është një vit apo një e gjysmë unë edhe jam kryetar i bashkësisë lokale dhe vetë kam bërë disa kërkesa, deri të Komuna e Çuçër Sandevës, Në qytetin e Shkupit dhe transporti publik, NQP-ja dhe përgjigjën që mora andej ishte se nuk ka shofer të mjaftueshëm që t’i angazhojnë për fshatin Bllacë”, tha Agim Bardhi – Kryetar i Bashkësisë lokale të fshatit Bllacë.

Nafi Shehu, pensionist i Bllacës thotë se këtë gjendje me transportin publik nuk e ka përjetuar asnjëherë më parë.

“42 vite në punë të shtetit autobusë ka pasur rregullisht, edhe në kohen e komunizmit edhe në demokraci ndërsa tash e një vit nuk ka autobus të rregullt, një muaj nuk vjen hiç, problemi nuk është vetëm për nxënësit por edhe për të punësuarit. Unë jam pensionist dhe duhet të shkoj në mjek ndonjëherë, ja sot e kisha terminin s’munda të shkoj”, tha Nafi Shehu – pensionist.

Pas rreth dy ore pasi përfunduam bisedën me banoret e Bllacës, përsëri takuam Egzonin i cili me çantë në krah ende ishte duke pritur që dikush ta dërgojë në Shkollë. /Alsat.mk

Comments