Banorët e fshatrave në Komunën e Sarajit përballen me pasoja të rënda nga përmbytjet

102

Familja Sulejmani nga fshati Semenishtë i Komunës së Sarajit po numëron dëmet nga vërshimet që përjetuan një ditë më parë. 24 orë pas daljes së “Lumit të Thatë” nga shtrati, kjo familje bashkë me shumë të tjera po përpiqen të nxjerrin baltën nga oborret dhe bodrumet e shtëpive.

“Djali mbeti brenda me gjithë familjen, tërë ditën, deri në mëngjes. Nëse kanë mundësi tash diçka të na ndihmojnë, le ta shohin ku po jetojmë. I paguajmë të gjitha taksat, mbeturinat e të gjitha gjërat e përfundimi siç e shihni vet. Çka keni pas jashtë që I ka dëmtu? Dredhëza të mbjella në najlon, pak kopsht, shpija krejt në ujë”, tha Raif Sulejmani, banor I fshatit Semenishtë.

Në pesë fshatrat e përmbytura, Llaskarcë, Bukoviç, Semenishtë, Çajlanë, Arnaqi fotografia thuajse është e njëjtë, pajisje shtëpiake të prishura nga kontakti me ujin, frigoriferë e hidroforë që nuk punojnë më. Edhe pse zjarrfikësit kanë intervenuar vazhdimisht banorët thonë se kjo nuk mjafton.

“Veç në oborr ka hy ama te shtëpitë tjera ka pas materiale që janë djeg, frigoriferë, lavatriçja, hidrofori I ujit, ato janë djeg. A keni arrit me pastru oborrin? Po, intervenuan zjarrfikësit”, u shpreh një banor.

“Nuk duhet me prit minutën e fundit, duhet me intervene përpara jo kur të bie shi edhe pastaj të bëjnë panikë”, tha një tjetër banor.

“Për momentin, ata ndoshta dëshirojnë ta bëjnë edhe ma mir ama të paktën për momentin të gërryejnë në lum që mos të dal uji gjithandej”, theksoi një banor.

Kryetari i Komunës, Muhamet Elmazi, konfirmoi se numri i shtëpive të prekura ka arritur në 32. Problem mbeten shtëpitë e mërgimtarëve, ku për shkak të mungesës së pronarëve, dëmet brenda tyre ende nuk janë regjistruar plotësisht.

“Kemi shtëpi, fatkeqësisht janë në mërgatë edhe aty nuk kemi qasje por kemi shtëpi që janë të banueshme dhe u janë përmbytur bodrumet e shtëpisë apo kati përdhese, janë të banueshme por janë dislokuar në katet e tjera të shtëpive”, deklaroi Muhame Elmazi, kryetar i Komunës së Sarajit.

Sipas Elmazit, do të bëhet edhe dezinfektimi I të gjitha shtëpive të përmbytura por kjo do të ndodhë pas tërheqjes së plotë të ujit dhe tharjes së hapësirave të përmbytura. /Alsat.mk

Comments