Kreu i opozitës Lulzim Basha thotë se me anë të një akti normativ, Kryeministri Edi Rama ka ndryshuar në mënyrë tinzare buxhetin. Por Basha thotë se Partia Demokratike ka një plan shpëtimi për vendin.
Deklarata e plotë:
“Në mënyrë tinzare, Kryeministri në ikje ka ndryshuar me akt normativ buxhetin, duke shmangur rrugën normale që është dërgimi në komisione, në parlament.
Pse? Pse kështu hajdutjçe, fshehtasi, duke mbajtur larg debatin, oponencën, kritikën?
Sepse me ndryshimin e buxhetit Edi Rama nuk rrit asnjë pagë, tall dhe poshtëron 635 mijë pensionistët me indeksimin 1.6 përqind, pra një bukë e 100 gramë djathë në muaj, kur çmimet janë rritur e nuk kanë të ndalur.
Kryeministri në ikje nuk rrit asnjë qindarkë fondet për ndihmën ekonomike për familjet në nevojë. Kur papunësia rritet çdo ditë, ai nuk shton, por e ul me 10% fondin për pagesën e papunësisë. Asnjë qindarkë për kompensimin e ish – të përndjekurve politikë.
Kryeministri në ikje ul fondet për arsimin, shëndetësinë dhe burgjet, ul fondet për investimet me financim të huaj. Rrit borxhin publik për vitin 2016.
Por Edi Rama nuk ka harruar të shtojë 68 punonjës në aparatin e Kryeministrisë. 68 sharës të rinj në pallatin e tij që do të paguhen me paratë e shqiptarëve për t’i shërbyer propagandës e llafeve, e aspak punës.
Kjo është qeverisja e degraduar dhe korruptive e Kryeministrit në ikje. Taksa të larta, gjoba të larta, çmime të larta. Shto luksin e shërbëtorët për vete, ul fondet dhe rrit mjerimin për shqiptarët.
Partia Demokratike ka një plan shpëtimi për vendin. Në programin e saj, buxheti do të jetë pronë e shqiptarëve, jo plaçkë për t’u ndarë sipas tekave. Ne do të ulim taksat dhe shpenzimet qeveritare.
Çdo fond do të shkojë për investime, për vende të reja pune, për paga e pensione më të larta, për zbutjen e varfërisë në vend dhe për një ekonomi të fortë e një të nesërme të sigurtë për të gjithë shqiptarët”.
BUXHETI I RISHIKUAR 2016:
• Zero rritje për pagat, vazhdojnë të jenë të ngrira, duke dobësuar edhe më shumë fuqinë blerëse.
• Nuk rrit pensionet, indeksimi poshtë detyrimit ligjor sepse inflacioni 2015 rezultoi në masën 1.9%, ndërsa indeksimi vetëm në masën 1.6%, duke dobësuar edhe më tej fuqinë blerëse.
• Zero rritje fondet për ndihmën ekonomike, me zero përfitim për familjet nevojtare.
• Ul me 10% fondet për pagesën e papunësisë, ndonëse papunësia është më e lartë sesa ajo e para 2-3 viteve.
• Zero rritje fondet për kompensimin e ish – të përndjekurve politikë.
• Ul me 34 milionë lekë investimet në “arsimin bazë” (-2.5%).
• Ul me 199 milionë lekë investimet në “arsimin e lartë” (-28%)
• Ul me 108 milionë lekë investimet në “kujdesin parësor” (-35%).
• Ul me 140 milionë lekë investimet në “shërbimin kombëtar të urgjencës” (-47%).
• Ul me 62 milionë lekë investimet në “arsimin profesional” (-11.7%).
• Ul me 88 milionë lekë investimet në “sistemin e burgjeve” (-9.1).
• Ul me 2.15 miliardë lekë fondet e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, (- 28.3%).
• Rrit me 68 punonjës të aparatit të Kryeministrisë.
• Rrit borxhin publik për vitin 2016 me 1.3 miliardë lekë (3.8%). /tvklan.al