Basha: Rama po shpik armiqësi, 7 ligjet votohen vetëm me konsensus
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, tha se konsensusi është rruga ku do të kalojnë ligjet për reformën në drejtësi. Sipas tij, kryeministri Rama po vrapon për të shpikur armiqësi të reja. Gjithashtu kreu i PD-së, tha se opozita s’ka asnjë minutë kohë për të harxhuar me debate shterpë, e as t’i përgjigjet llogoreve të reja që gërmon Edi Rama, duke theksuar faktin se nuk do të shkelen atatet e Kushtetutës.
“Nuk kaloi shumë nga marrëveshja historike në parlament për Reformën në Drejtësi, dhe Edi Rama shfaqet tërë entuziazëm sikur ka zbuluar një vatër të re konflikti.
Ç’është ky njeri që e zë konsensusi? Që e sëmur rënia dakord me opozitën për interesat e mëdha të vendit dhe vrapon të shpikë armiqësi të reja?
Kontrata më e madhe nën të cilën jemi, është Kushtetuta. Kushtetuta ka përcaktuar afate për kalimin e ligjeve. Dhe asgjë e drejtë e në emër të drejtësisë, s’mund të bëhet duke shkelur Kushtetutën. Ekspertët e opozitës janë në punë çdo orë të ditës dhe po shqyrtojnë edhe ligjin e vettingut që ka mbërritur afër mesnatës, dy ditë më parë.
I gjithë procesi ka tashmë një lider, të konfirmuar, të pakontestuar, të gjithëpushtetshëm. Ky lider nuk është as Edi Rama, as Lulzim Basha, e aq më pak Fatmir Xhafaj. Por është konsensusi.
Konsensusi është rruga ku do të kalojnë ligjet. Opozita s’ka asnjë minutë kohë për të harxhuar me debate shterpë e as t’i përgjigjet llogoreve të reja që gërmon Edi Rama. Punë dhe rezultate, ky është angazhimi ynë.
Nuk kemi asnjë minutë kohë, sepse teksa shfaqet si komentator drejtësie, çka në të vërtetë nuk është, se nuk ia ka haberin fare, kërkon të fshehë plojën e madhe të vendit, të zhytur në mjerim, papunësi e mungesë shprese. Krimi po thyen edhe rekordet e veta, ndërsa Rama i përgjigjet me inkriminime të reja në Policinë e Shtetit e me karta dixhitale për naftën.
Bandat e veshura me pushtet po shtojnë anëtarë e dhunojnë qytetarët, dhe për turpin e faqen e tij të zezë, ai nuk ka shkarkuar nga detyra as Elvis Rroshin, të dënuar edhe për përdhunim, sepse firma e tij i duhet për pazaret e fundit që ka planifikuar.
U bë më shumë se një muaj që mediat më të rëndësishme të botës shkruajnë përditë për 80 mijë dollarëshin e paligjshëm që ka paguar për foton me Obamën, e ai nuk jep asnjë shpjegim. S”ka mbyllur një kilometër asfalt, por po ju vë shqiptarëve edhe një taksë të re, 10 euro për Rrugën e Kombit ndërkohë që vapa e gushtit po ja thanë palmat qindra mijë euroshe që i përdor si lodra për të mashtruar shqiptarët.
Shëndetësia është në kolaps të plotë, ekonomia ka ngrirë, prodhimi i fushave po kalbet se nuk shitet asgjë, ndërkohë që skota e tij e ministrave dhe oligarkëve vazhdon të shqyej mes vedi miliona euro të tenderëve e koncesioneve.
Droga ka mbuluar vendin e njerëzit po vriten me njëri-tjetrin për ngastrat me kanabis, drejtorët e tij te policisë marrin 30 përqindëshin, drekojnë e darkojnë me trafikantë dhe tregojnë muskujt me varfanjakë, të moshuar e invalidë.
Teksa e grithë kjo po ndodh, Rama i fryn një zjarri të ri, për të ndezur një hasmëri të re politike, me shpresën se kjo do të largoje vëmendjen e njerëzve drejt një ringu, ku ne refuzojmë të marrim pjesë. Sepse tashmë për ne ka një betejë. Beteja për zgjedhjet e lira e të ndershme. Beteja për t’i dhënë mundësinë vendit të çlirohet nga sundimi kriminal e i korruptuar që i ka zënë frymën qytetarëve. Betejë që do ta luftojmë e do ta fitojmë me dhe për çdo shqiptar.
28 korrik 2016 (gazeta-Shqip.com)