BDI Tetovë reagon për prishjen e ndërtesës së Shkollës së Mesme Tekstile

94

Të nderuar përfaqësues të mediave, prindër, nxënës dhe qytetarë të Tetovës,

Sot, duam të ngrisim zërin kundër një prej eksperimenteve më të rrezikshme që po kryhet mbi arsimin në qytetin tonë – prishja e ndërtesës së Shkollës së Mesme Tekstile dhe premtimi i rremë parazgjedhor për ndërtimin e një godine të re.

Që nga ardhja e Bilall Kasamit në krye të komunës, kjo shkollë ka nisur të degradojë si në infrastrukturë ashtu edhe në cilësi, duke humbur interesin e nxënësve dhe duke pësuar rënie të vazhdueshme. Sot, në vend se të gjendet zgjidhje për zhvillim dhe përmirësim, kemi vendimin absurd për shkatërrimin e godinës, duke futur prindërit dhe nxënësit në pasiguri totale.

Prishja e objektit nuk sjell asgjë tjetër përveç kaosit. Nuk ka plan të qartë se ku dhe si do të vijojë mësimi, nuk ka konsultim me ekspertët e arsimit, as me institucionet përgjegjëse. Nxënësit janë të frikësuar, prindërit të hutuar, ndërsa mësimdhënësit me të drejtë kanë refuzuar idenë qesharake për zhvillimin e mësimit vetëm online. Një shkollë profesionale nuk mund të ekzistojë pa punëtori, laboratorë dhe mësim praktik – gjithçka që kjo qeverisje lokale po e injoron.

Po aq shqetësuese është edhe tentativa për t’i zhvendosur nxënësit e kësaj shkolle në hapësirat e shkollës fillore “Besa”, duke i përzier pa ndarje fizike me fëmijët e shkollës fillore, gjë që është e papranueshme dhe kundër çdo standardi pedagogjik.

Kjo situatë është dëshmi e mungesës totale të transparencës, planifikimit dhe përgjegjësisë. Është vazhdim i të njëjtit model mashtrues që e pamë edhe me tribunën e stadiumit të qytetit: shkatërro sot, premto nesër dhe harro pas zgjedhjeve.

Qytetarë të Tetovës, prindër, nxënës dhe arsimtarë – është koha për ndryshim. Ditët e improvizimeve dhe eksperimenteve politike po marrin fund. Nga tetori, Tetova do të ketë një kryetar që e kupton vlerën e arsimit, Bajram Rexhepin, i cili do ta kthejë arsimin profesional në prioritet dhe do t’u japë fund lojërave me të ardhmen e fëmijëve tanë.

Projektet e komunës me 3D deri më sot e dimë se si kanë përfunduar. Të gjitha kanë ngelur vetëm në letër.

Arsimi nuk është fushë për eksperimente. Arsimi është garanci për të ardhmen e qytetit.

Ju faleminderit!

Comments