BE: Ura e Mitrovicës, simbol i normalizimit

385

Rreth rivitalizimit të urën mbi lumin Ibër në Mitrovicë, ka folu edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Përmes një komunikatë për media, ajo ka thënë se ura mbi Ibër do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve mes komuniteteve në Kosovë.

“Me fillimin e implementimit të kësaj marrëveshjeje, Ura e Mitrovicës do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve në Kosovë”, tha kjo zyrë.

“Rivitalizimi i urës në Mitrovicë, investim ky në vlerë mbi 1.2 milion euro dhe i financuar nga Bashkimi Evropian, do të kontribuojë në mënyrë të konsiderueshme në lehtësimin e kontakteve ndërmjet njerëzve nga Mitrovica e Veriut, Mitrovica e Jugut dhe më tej”, thuhet më tej në komunikatë.

Më tutje në kumtesën e Zyrës së BE-së në Kosovë, po ashtu, theksohet se “Ura e Mitrovicës pritet të hapet për këmbësorë dhe për automjete në të dyja drejtimet sipas rekomandimeve nga vlerësimi teknik dhe dizajni arkitekturor për të cilin janë dakorduar të dyja palët në qershor 2015”.

“Bashkë me të dy kryetarët e komunave, një grup punues do të monitorojë dhe shqyrtojë rregullisht kushtet mbizotëruese politike dhe të sigurisë në ato komuna gjatë dhe pas procesit të rivitalizimit. Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i, në pajtueshmëri me mandatet e tyre përkatëse, do të sigurojnë mjedis të qetë dhe të sigurt”, thuhet në fund të kumtesës.

Comments